Kosova

Kurti për rezultatin e zgjedhjeve: U bashkuan të gjithë kundër nesh


Andrej Plenkoviç dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, i ka uruar të gjithë kryetarët e rinj që kanë fituar në komunat ku pati balotazh, duke thënë se do të bashkëpunoj me të gjithë.

Këtë deklaratë kryeqeveritari Kurti, e ka bërë gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, i cili gjatë ditë së hënë ka realizuar vizitën e parë zyrtare në Kosovë prej se ka ardhur në pushtet.

“Administrimi i procesit zgjedhor të balotazhit nga KQZ-ja ishte shumë i mirë. I urojë të gjithë kryetarët e komunave të cilët u zgjedhën ditën e diel. Unë do të bashkëpunojë me të gjithë ata që dëshirojnë ta luftojnë krimin dhe me këtë rast do ti mbikëqyri me shumë vëmendje” , ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit ka komentuar edhe rezultatin e partisë së Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij humbja në disa komuna, ishte rezultati i bashkimit i të gjithëve kundër LVV-së.

“Rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme të cilët duhet ti analizojmë më gjatë në vijim, si dhe bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër nesh”, ka shtuar ai.

Kryeqevritari gjatë konferencës ka folur edhe për vizitën e Plenkoviç në Kosovë duke e cilësuar atë si rikonfirmim të afërsisë së marrëdhënieve tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe republikave.

“Të dy shtete tona jo vetëm që janë afër gjeografikisht por e kuptojnë njëra tjetrën dhe rajonin më mirë se kushdo tjetër pasi kemi edhe të kaluar të përbashkët”.

“Jemi thellësisht mirënjohës Kroacisë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit”.

Kurti, ka treguar për marrëveshjet që priten të nënshkruhen ndërmjet dy vendeve.

“Në takim biseduam për raportet miqësore dhe mënyrat se si mund të intensifikojmë dhe forcojmë edhe më shumë ato, folëm për zbatimin e 12 marrëveshjeve dy palëshe që kemi për arsimin shkencën kulturën dhe ekonominë si dhe shtatë marrëveshjeve të tjera që shpresojmë që të finalizohen së shpejti”.

“Një nga synimet tona është krijimi i mjedisit të favorshëm për të tërhequr kompani dhe investitorët potencial në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme. Marrëdhëniet tona tregtare janë të mira ne mund t’i risim edhe më tej ato”.

Kurti ka theksuar se Kroacia është shembull dhe model i shkëlqyer për Kosovën.

“Kemi biseduar për krijimin e urave sa më të fuqishëm për dy popujt tanë, sikurse me mërgatën tonë që është në Kroaci po ashtu edhe me qytetarët kroat në Kosovë”.

Ai gjatë fjalimit të tij ka bërë të ditur se, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi do të udhëtojë për në Bruksel gjatë ditës së hënë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne jemi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë ku në qendër e ka njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë. Deri më tani ka ekzistuar qasje që Kosova duhet të bëjë koncesione dhe kompromise për një njohje e cila na vjen  në fund nga Serbia, Serbia ka përfituar nga koncesionet mirëpo nuk na ka njohur dhe tash kemi një situatë të re”.

“Serbia nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, por edhe Kosova gjithashtu nuk mund ta pranojë Serbinë përderisa ajo ka një kushtetutë të tillë e cila është e kohës se ish-presidentit Koshtunica nga viti 2006”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore