Lajme

Kurti për programin “Drejt Malit’’: Shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e fëmijëve


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi, Zyra e Kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji, përmes së cilit u sigurohet fëmijëve, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës qasje në aktivitete sportive – malore.

“Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program  shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik”.

“Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Brezovicë.

Kurti po ashtu tha se programi “Drejt Malit”, flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor.

“Kjo është sezona e parë dimërore e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit, Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë”.

Ai ka folur edhe për karakteristikat që e veçojnë Brezovicën.

“Me shumë bukuri e histori dhe me një të ardhme të ndritshme para dhe e cila ndër vite ka sjellë vizitorë dhe sportistë nga anë e mbanë bota, kryeministri Kurti përmendi edhe pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore me dy sportistë të rinj, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu”.

Ndërkaq, thuhet se ky program do të vazhdoj të zbatohet edhe në vitet në vazhdim, me synimin që të rritet numri i nxënësve pjesëmarrës dhe fëmijëve që skijojnë në Kosovë.

Para mediave, ndër të tjerash ai tha se “i ka bërë përshtypje bashkëpunimi në mes komuniteteve që punojnë dhe frekuentojnë qendrën e Brezovicës, duke e bërë kështu Brezovicën një tregim të suksesit e komunitetit të integruar pa dallim”.

Pas përfundimit të ceremonisë, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, Kurti vizitoi edhe pikën më të lartë të pistës së skijimit, që shfrytëzohet nga skiatorët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore