Lajme

Kurti pas takimit: S’kemi marrëveshje, fajet i ka BE’ja – Borrell hoqi dorë nga propozimi i vet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë fajtor Bashkimin Evropian, saktësisht shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për mos arritje të një marrëveshje këtë të hënë në Bruksel.

Bisedimet dhe propozimi për çështje aktuale, Kurti tha se “nuk është i pranueshëm nëse nuk shoqërohet me atë se për çfarë jemi ftuar palët, dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

“Në propozimin që na kanë sjellur neve ka qenë edhe afati, marsi i vitit 2023. Ne po vijmë këtu për t’u marrë vesh për marrëveshje që arrihet para marsit. Borell hoqi dorë nga ky afat me keqardhje mund ta them, dhe nga propozimi i BE-së, po them me keqardhje sepse vetëm e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe gjithashtu propozimi është i BE-së”.

Kurti ka sqaruar edhe se çfarë i ishte thënë në Paris në takim me Borell-in.

“Kur u takuam në Paris, Borell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së. Në rregull pra, por sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së. Unë jam i gatshëm që të vij këtu, të zhvillojë takime, gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë. Marrëveshja finale dhe çështje aktuale edhe si puna e këtyre targave, por nuk bën njëra pa tjetrën”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

“Nuk mund të shndërrohemi me liderë që merren me targa e nuk diskutojnë për normalizim të marrëdhënieve, andaj jemi në këtë situatë dhe shpresoj që BE do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet, për pasojë pas tetë orë bisedime në gjashtë takime nuk kemi ende një marrëveshje”, përfundoi ai.

Kryeministri nuk ka pranuar as të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve, duke u përgjigjur ndaj gazetarëve me arsyetimin se “më duhet të shkoj në aeroport”.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borell ka thënë se “edhe pas shumë orësh biseda dy palët, Kosova dhe Serbia, nuk u pajtuan për një marrëveshje”.

“Për hir të transparencës më duhet të them se vëmë para një propozim që do ta evitonte këtë situatë. Vuçiç e pranoi propozimin. Kurti nuk e pranoi.

Pas pothuajse pesë orë diskutime në Bruksel, ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, por pa marrëveshje të arritur.

Fillimisht, Borrell kishte zhvilluar takime të ndara, njëherë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe pastaj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe më pas, me fillim në orën 10:00 ka nisur takimi trepalësh që akoma nuk ka përfunduar.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Kosova s’e pranoi propozimin e BE-së, Serbia po – çka tash?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore