Lajme

Kurti në takim lamtumirës me ambasadorin e Norvegjisë: Mbetet njëra ndër partneret më të rëndësishme


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, ka pritur të hënën në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate për media.

“Të dy falënderuan ambasadorin Grøndahl për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy vendeve, si dhe për angazhimin dhe përkushtimin e tij në këtë drejtim, duke i uruar atij suksese në angazhimet dhe përgjegjësitë e radhës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Kurti, ka potencuar se Norvegjia vazhdon të mbetet njëra ndër partnerët më të rëndësishme për Kosovën.

“Kryeministri shprehu mirënjohjen e thellë të tij për kontributin e shtetit norvegjez dhe ritheksoi se Norvegjia është dhe mbetet partnerja jonë e rëndësishme me të cilën ndajmë vlera, bindje dhe pikëpamje për sigurinë dhe paqen në rajon e më gjerë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Më 21 korrik, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të premten ia ka dhuruar çelësin e qytetit ambasadorit të Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Në vitin 2022, kishte pasur raportime se Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, nga viti 2023 nuk do të jetë më aktive.

Kështu kishte njoftuar, Qeveria Norvegjeze përmes një komunikate për media më 9 shtator të 2022.

“Nuk është kurrë e lehtë të vendosësh t’i mbyllësh misionet norvegjeze. Mbylljet si këto ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë dhe kanë pasoja edhe më të mëdha për stafin e punësuar”.

“Por, ne kemi një përgjegjësi që të përdorim burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, kishte deklaruar Anniken Huitfeldt, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Norvegjia e kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur në mars të vitit 2008, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe ambasada mbretërore e Norvegjisë në Prishtinë u hap në tetor të po atij viti.

Ambasada gjendet në një nga pozicionet më qendrore të qytetit të Prishtinës, në Lagjen Pejton.

Jens Erik Grondahl ishte emëruar në këtë pozitë në vitin 2019. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore