Kosova

Rama ia dhuron çelësin e Prishtinës ambasadorit norvegjez


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe ambasadori i Norvegjisë Jens Erik Grondahl.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të premten ia ka dhuruar çelësin e qytetit ambasadorit të Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari Rama përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke thënë se e ka falënderuar atë për angazhimin e vazhdueshëm në forcimin e raporteve mes dy shteteve.

“Kënaqësi të prisja mikun e kryeqytetit, Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl. E falënderova për angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm në forcimin e marrëdhënieve mes shteteve tona dhe në shenjë nderimi i dhurova “Çelësin e Qytetit”, ka shkruar Rama.

Duke thënë se, “të presim sërish në Prishtinë”.

Në vitin 2022, kishte pasur raportime se Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, nga viti 2023 nuk do të jetë më aktive.

Kështu kishte njoftuar, Qeveria Norvegjeze përmes një komunikate për media më 9 shtator të 2022.

“Nuk është kurrë e lehtë të vendosësh t’i mbyllësh misionet norvegjeze. Mbylljet si këto ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë dhe kanë pasoja edhe më të mëdha për stafin e punësuar”.

“Por, ne kemi një përgjegjësi që të përdorim burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, kishte deklaruar Anniken Huitfeldt, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Norvegjia e kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur në mars të vitit 2008, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe ambasada mbretërore e Norvegjisë në Prishtinë u hap në tetor të po atij viti.

Ambasada gjendet në një nga pozicionet më qendrore të qytetit të Prishtinës, në Lagjen Pejton.

Jens Erik Grondahl ishte emëruar në këtë pozitë në vitin 2019. 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore