Lajme

Norvegjia ka vendosur ta mbyllë ambasadën në Kosovë


Ilustrim: Ambasada e Norvegjisë në Kosovë

Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, nga viti 2023 nuk do të jetë më aktive.

Kështu ka njoftuar, Qeveria Norvegjeze përmes një komunikate për media.

Marrëdhëniet diplomatike, nga viti 2023, ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë do të zhvillohen përmes marrëveshjeve alternative, pra përgjegjësia në këtë rast do t’i jepet një ambasade norvegjeze që gjeografikisht është afër me Kosovën, ose një ambasador me bazë në Norvegji do të emërohet për Kosovë.

“Nuk është kurrë e lehtë të vendosësh t’i mbyllësh misionet norvegjeze. Mbylljet si këto ndikojnë në jetën e diplomatëve norvegjezë dhe kanë pasoja edhe më të mëdha për stafin e punësuar. Por, ne kemi një përgjegjësi që të përdorim burimet tona në një mënyrë që na mundëson të mbrojmë interesat norvegjeze në mënyrë sa më efektive të jetë e mundur”, ka deklaruar Anniken Huitfeldt, ministrja e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.

Norvegjia e kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur në mars të vitit 2008, vetëm një muaj pas shpalljes së pavarësisë, dhe ambasada mbretërore e Norvegjisë në Prishtinë u hap në tetor të po atij viti.

Ambasada gjendet në një nga pozicionet më qendrore të qytetit të Prishtinës, në Lagjen Pejton.

Ambasador aktual i Norvegjisë në Kosovë është Jens Erik Grøndahl, i emëruar në vitin 2019.

Më parë kishte mbajtur pozitat e zëvendësdrejtorit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe drejtorit të Departamentit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Takim i ambasadorit norvegjez me presidenten Osmani

Norvegjia, përveç misionit diplomatik në Kosovë, gjatë vitit 2023 do t’i mbyllë edhe misionet diplomatike në Sllovaki, Sri Lanka, Madagaskar dhe Konsullatën e Përgjithshme në Hjuston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe Qeveria norvegjeze ka lajmëruar edhe rritjen e numrit të stafit në disa misione diplomatike jashtë vendit, veçanërisht në Evropë.

Në vitin 2023, numri i personelit diplomatik do të rritet në ambasadat norvegjeze në Rumani, Ukrainë dhe Lituani.

“Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, BE-ja ka kërkuar të promovojë solidaritetin evropian dhe bashkëpunimin më të ngushtë për sigurinë dhe mbrojtjen. Pra, ka kuptim të mirë për ne që të forcojmë praninë diplomatike të Norvegjisë në BE, NATO dhe vende të zgjedhura evropiane. Bota nuk ndalon kurrë së ndryshuari dhe Shërbimi i Jashtëm Norvegjez duhet të jetë i përgatitur të ndryshojë me të”, ka shtuar kryediplomatja norvegjeze.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore