Lajme

Kurti nderohet nga Senati i Iowa-s me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar


Gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nderuar nga Senati i Iowa-s.

Në një ceremoni të organizuar atje, ai u dekorua me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowa-s.

Kurtit medaljen ia dorëzoi senatori Zach Nunn.

“Me kërkesë të senatorit nga Qarku Polk, Zach Nunn, Senati njeh dhe dekoron Kryeministrin Albin Kurti, me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowas. Kjo dekoratë, e projektuar nga senatori Zach Nunn, është një kryq maltez për  qëndrueshmërinë e karakterit, e zbukuruar me stemën e shtetit të Iowas dhe e shënjuar me pikën referuese të Iowas, Kapitolin, që simbolizon përkushtimin ndaj shërbimit”, shkruhet në motivacion.

 

Të shtunën, Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri Mehaj, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vizituar kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët po zhvillojnë trajnime atje së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s.

Sipas një njoftimit të zyrës së kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohje ushtarëve të FSK-së për krenarinë që ata sjellin me përkushtimin e tyre për t’i shërbyer vendit.

“Angazhimi i përditshëm në trajnime për të avancuar aftësitë dhe shkathtësisë e tyre dhe forcës sonë është jetik në përkushtimin e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe siguri në rajon”, ka thënë Kurti.

Nëpërmjet rritjes së buxhetit për mbrojtje për 52 për qind, “Kurti ka theksuar se Qeveria po dëshmon synimin e saj që duke ngritur kapacitetet profesionale të FSK-së të kemi një forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese për të mbrojtur vendin, por edhe të bashkëpunojë me partnerë e aleatë në ruajtje të paqes në rajon e botë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore