Lajme

Kurti mendon se barrikadat s’erdhen nga vendimet e qeverise, por nga fake news-i


Albin Kurti

Sipas Albin Kurti, kryeministrit të Kosovës, njëra nga arsyet se pse të dielën e 31 korrikut u bllokuan rrugët që të shpien drejtë pikë kalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, ishte edhe keqinformimi apo fake-news-i.

Në shpjegimin e tij të situatës se cilat ishin arsyet e kundërshtimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovë atë për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitetit, Kurti nënvizon faktin se vendimet në fjalë qëllimisht u keqinterpretuan dhe u keqprezantuan te popullata serbe nga disa eksponent të caktuar.

“Në mbledhjen e djeshme të kabinetit kam vënë në dukje rreziqet e lajmeve të rreme, veçanërisht në lidhje me vendimet tona për targat e makinave dhe dokumentet hyrëse-dalëse në pikat kufitare me Serbisnë”, shpjegon Kurti përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter.

“Ky dezinformim çoi në barrikada dhe shkelje të lëvizjes së lirë në Veri”, shton ai.

Ndryshe në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se informimi i pasaktë përbën rrezik nacional për Kosovën.

Kurti bëri të ditur se kabineti i tij dhe në përgjithësi qeveria do të intensifikojnë fushatën për informim.

“Fushata do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet as pas 1 shtatorit”, tha ai, duke konfirmuar kështu, edhe një herë, se masat për reciprocitet të targave, por dhe të letrës së bardhë për hyrje/dalje do të vendosen në këtë datë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore