Lajme

Kurti me kryeministren e Estonisë, diskutojnë për situatën politike në Kosovë dhe rajon


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrën e Estonisë, Kaja Kallas, me të cilën ka diskutuar për situatën politike në Kosovë si dhe rajon.

Takimin e ka bërë të ditur Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Tani në takim me Kryeministrën e Estonisë, Kaja Kallas, gjatë kohës që po mbahen punimet e Samitit të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (OGP). Biseduam për situatën politike në vend, në rajon dhe kontributin që shteti ynë mund të jap si anëtar në OGP”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim të rastit në Samitin Global të 8-të të Open Goverment Partnership, ka theksuar se në Kosovë përpjekjet e aleatëve rusë, në këtë rast Serbia, për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen janë të dukshme dhe po intensifikohen.

I pari i Qeverisë akuzoi Serbinë se përmes dezinformimit dhe sjelljeve të tjera dashakeqe në fushën kibernetike, po ndikojnë në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kosova, ka potencuar se Kurti, është në një kohë të ndjeshme kjo për shkak të procesit të dialogut prandaj kërcënimet kibernetike si dezinformomi, bullizmi në internet dhe forma të tjera si këto janë veçanërisht të dëmshme në këtë fazë.

Kreu i ekzekutivit, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë udhëtuar për në Tallinn të Estonisë të mërkurën.

Gjatë ditës, Kurti do të zhvillojë një takim dypalësh me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, krahas takimeve tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore