Lajme

“Kurti luan me ‘kartën e gardianit’ të interesave kombëtare në veri – Vuçiçi e shfrytëzon ‘konfliktin e ngrirë’ për të forcuar legjitimitetin e brendshëm”


Ilustrim

Historiani dhe studiuesi në Institutin Leibniz të Evropës Lindore dhe Juglindore (IOS) në Regensburg të Gjermanisë, Konrad Clewing, ka thënë se tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe kapitalizohen nga liderët në Kosovë e Serbi për të zgjeruar hijen e pakënaqësive të qytetarëve e për të forcuar legjitimitetin brenda.

Historiani gjerman ka nënvizuar gjithashtu se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjendjen e krijuar e sheh si një mundësi për të luajtur me “kartën e gardianit” të interesave kombëtare në veri, duke tentuar që të “errësojë” performancën e dobët qeverisëse dhe premtimet e papërmbushuara gjatë fushatës elektorale.

“Qeveria aktuale e Kosovës e sheh të dobishme të luajë kartën e ‘gardianit’ të interesave kombëtare në veri përballë publikut të gjerë kosovar. Performanca administrative dhe ekonomike e qeverisë nuk është fort e ndritshme këto ditë, dhe për këtë arsye veprimi në një fushë të rëndësishme të lojës mund të duket tërheqëse”, ka thënë ai.

Në një intervistë për Albanian Post, një prej vëzhguesve më të njohur të çështjeve ballkanike ka theksuar se vakuumi institucional në veri është shumë i dobishëm edhe për lulëzimin krimit të organizuar të drejtuar nga Lista Srpska – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – me përkrahjen dhe financimin e Serbisë.

Gjithashtu, ai ka potencuar se gjendja e pasigurisë në veri dhe “konflikti i ngrirë” i shërben gjithmonë presidentit serb Aleksandër Vuçiç që nëpërmjet “çështjes së Kosovës” të forcojë regjimin e tij në Beograd kundër opozitës së vogël liberale, derisa i njëjti vazhdon të mbetet kërcënimi më i madh për stabilitetin rajonal.

“Serbia është kërcënim shumë më i madh për stabilitetin duke qenë palë thellësisht revizioniste që nuk është e gatshme të pranojë realisht rezultatet e luftës që e humbën në vitin 1999”, ka thënë ndër të tjera eksperti gjerman, ndërsa ka shtuar se një regjim i tillë nuk mund të jetë një opsion për politikëbërësit perëndimorë.

Clewing kujton po ashtu se “konflikti i ngrirë” në veri të Kosovës ka mbetur në të njëjtin nivel që prej vjeshtës së vitit 1999, atëherë kur bashkësia ndërkombëtare kishte penguar procesin e shuarjes së strukturave paralele dhe ndarjes së deritashme të pjesës veriore të Kosovës.

Lexojeni intervistën e plotë:

Intervistë | Clewing: Argumentet e Kurtit kundër Asociacionit s’janë aspak bindëse, nëse s’del me një propozim serioz – do e bëjnë të tjerët pa përfillur interesat e Kosovës

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore