Lajme

Kurti: Kosovarët duan marrëdhënie të thella me SHBA-të, jo servilitet si në të kaluarën


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur për tensionet dhe çarjet mes autoriteteve kosovare dhe bashkësisë ndërkombëtare, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, insistoi që marrëdhëniet mes tyre janë shumë të mira, derisa shtoi se në të kaluarën kanë qenë marrëdhënie njëkahore, por tash marrëdhëniet janë dykahore.

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) – si një aleat i pazëvendësueshëm e i paçmueshëm, një partner substancial në të kaluarën, në të ardhmen e sidomos tani në këtë vit të rëndësishëm dhe një mik i dëshmuar – janë shumë të mira. Por marrëdhënia do të thotë edhe marrje edhe dhënie, pra duhet të jetë një raport me rrugë dykahore”.

“Duhet të jetë një raport me rrugë dykahore – jo njëkahore. Nëse për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera, kushti dhe garancia është veç serviliteti, këtë do ta kishin pasur më herët ata… Ata kishin qenë kryeministra sot – ata që shkuan. Populli i Kosovës dëshiron marrëdhënie më të thella e më të gjëra – jo të shkëlqej nga serviliteti”, deklaroi kreu i ekzekutivit kosovar.

Kurti refuzoi të japë detaje sa i përket propozimeve për dinarin që u shpalosën gjatë vizitës së fundit të Emisarit Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke theksuar se ka pasur vetëm disa “propozime jo të stërholluara” që nuk e adresojnë thelbin e çështjes në fjalë. Ai shtoi se ekzistojnë disa mospajtime.

“Ka pasur propozime/ide jo të stërholluara – jeta praktike është shumë e gjallë që tejkalon imagjinatën. Ne vazhdimisht diskutojmë. Për shumicën e gjërave pajtohemi, por jo për gjithçka. Dhe nganjëherë edhe neve na duket se për hollësitë e caktuara kemi më shumë informacion. Por nuk paraqesin këto mospajtime që do të shndërroheshin në tension”, theksoi ai.

Ai njoftoi se Qeveria e Kosovës është duke punuar mbi propozimet që do të dërgohen të premten (22 mars) në kutinë postare të Bashkimit Evropian (BE), porse rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës përcaktohet euro si e vetmja valutë ligjore, nuk do të vihet asnjëherë në pikëpyetje, derisa garantoi se do t’i adresojë të gjitha problemet për dinarin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore