Lajme

Kurti kërkon zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë mes Kosovës e Bosnje e Hercegovinës


Albin Kurti dhe Manuel Sarrazin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten me të Dërguarin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ku ka kërkuar që të zbatohet marrëveshja për lëvizjen e lirë me ID karta me Bosnje e Hercegovinën.

Lajmi u bë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, të cilët bënë me dije edhe temat që kanë diskutuar Kurti e Sarrazin.

“Përgatitjet për samitin e këtij viti në Procesin e Berlinit që shënon 10 vjetorin e tij, bashkëpunimi rajonal dhe çështjet rajonale e evropiane ishin tema të bisedës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri e ka falënderuar diplomatin gjerman për angazhimin dhe rolin e Gjermanisë në thellimin bashkëpunimit rajonal mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si palë të barabarta.

“Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, Kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës”, theksohet aty.

Po ashtu, njoftohet se në takim është biseduar edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre.

Ndryshe, Sarrazin, në një takim me gazetarë të enjten, tha se shteti që përfaqëson “akoma s’ka qëndrim final” nëse themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara që themelimi i Asociacionit të jetë kusht për Kosovën drejt avancimit të ardhshëm. Në raportin e raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, ky kusht përshkruhet lëvizje e dëshirueshme.

“Sa i përket raportit të Bakoyannis, ende nuk kemi një qëndrim final. Së pari duhet ta shohim votimin në Asamblenë Parlamentare dhe nën dritën e atij vendimi, do ta konsiderojmë. Por natyrisht ka detyra që duhet përmbushur, njëra prej tyre është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Por nuk kemi qëndrim gjerman ende”, deklaroi diplomati gjerman.

Një ndër pika kryesore të seasionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropësdo të jetë debati mbi raportin e Bakoyannisit për Kosovën që pritet të mbahet në Strasburg të Francës midis 15 dhe 19 prillit 2024.

Gjermania “akoma pa qëndrim final” nëse Asociacioni do jetë kusht për Këshillin e Evropës, thotë Sarrazin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore