Kosova

Gjermania “akoma pa qëndrim final” nëse Asociacioni do jetë kusht për Këshillin e Evropës, thotë Sarrazin


Manuel Sarrazin

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një takim me gazetarë të enjten, tha se shteti që përfaqëson “akoma s’ka qëndrim final” nëse themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të jetë kusht për Kosovën drejt avancimit të ardhshëm. Në raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ky kusht përshkruhet lëvizje e dëshirueshme.

“Sa i përket raportit të Bakoyannis, ende nuk kemi një qëndrim final. Së pari duhet ta shohim votimin në Asamblenë Parlamentare dhe nën dritën e atij vendimi, do ta konsiderojmë. Por natyrisht ka detyra që duhet përmbushur, njëra prej tyre është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Por nuk kemi qëndrim gjerman ende”, deklaroi diplomati gjerman.

Një ndër pika kryesore të seasionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropësdo të jetë debati mbi raportin e Bakoyannisit për Kosovën që pritet të mbahet në Strasburg të Francës midis 15 dhe 19 prillit 2024.

Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve nga parlamentet e shteteve anëtare për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të majit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore