Kosova

Kurti iu drejtohet “të gjithëve”: Këto jam i gatshëm t’i bëj unë për de-eskalim


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-adresimi, ka bërë të ditur se Kosova është e gatshme të kontribuojë në de-eskalim të situatës në Veri të vendit, por pas përmbushjes së disa hapave.

Këto hapa sipas Kurtit i janë prezantuar edhe në takimin e fundit në Bruksel, para një jave, përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

“Në takimin tonë të fundit në Bruksel, para një jave, në përgjigje të një tryeze që propozonte hapa de-eskalimi nga z. Josep Borrell, bëra propozimin e mëposhtëm me hapa konkretë se çfarë është e gatshme të bëjë Kosova dhe çfarë presim nga Serbia në këmbim”, ka thënë fillimisht Kurti.

Kurti ka numëruar edhe katër hapat që Kosova është e gatshme t’i përmbushë në emër të de-esaklimit të situatës në Veri të Kosovës.

“Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut”.

“Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashihet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja; Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës”.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka numëruar edhe katër pika të tjera të cilat, sipas tij, duhet t’i përmbush Serbia në raport me shtensionimin e situatës në Veri.

“Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre; Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë”.

“Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit. Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”.

Kosova dhe Serbia, sipas Kurtit, gjithashtu duhet të zotohen të respektojnë plotësisht rregullat e Tregut të Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit dhe pajtueshmërinë me acquis të BE-së për tregtinë e lirë rajonale sipas marrëveshjeve të bëra.

“Si përfundim, ne dëshirojmë të ritheksojmë angazhimin tonë për një dialog intensiv për një zbatim të plotë, të pakushtëzuar, me sekuencë të balancuar e korrekte, të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të saj”.

Kurti më tej ka theksuar se de-eskalimi i situatës dhe normalizimi i marrëdhënieve është i realizueshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore