Shqipëria

Kurti: I kam propozuar Ramës që ta mbajmë mbledhjen e qeverive këtë javë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në konferencë për media, se i ka propozuar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që mbledhja e dy qeverive, e cila u anulua për shkak të situatës në Veri, të mbahet këtë javë.

Rama, gjatë kësaj jave ka paralajmëruar një tur ballkanik dhe propozimi i Kurtit ishte që brenda këtij turi kur ta vizitojë Kosovën të mbahet edhe mbledhja.

“Unë jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, dhe e di që do të vijë në Prishtinë në kuadër të turit Ballkanik. Është thënë që ky tur ballkanik ka të bëjë me përgatitjen e radhës të Samitit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor”.

“Në mënyrë që këto marrëveshjet e dakorduara të mos mbeten në sirtar; unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi se, “i kam kërkuar miqësisht kryeministrit Edi Rama, që meqenëse do të vijë dhe të qëndroj dy ditë e një natë ta mbajmë edhe mbledhjen e Qeverisë”.

Kurti, tutje ka thënë se marrëveshjet që ishte paraparë që t’i nënshkruanin në qershor duhet të nënshkruhen, në rast se jo kjo dëmton vetëm qytetarët.

“Çdo ditë e humbur pa i nënshkruar marrëveshjet është dëm për qytetarët”.

Kurti tutje para gazetarëve sqaroi se takime vetëm me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhdimisht, por që insistimi i tij aktualisht është që të mbahet mbledhja mes dy Qeverive.

“Nëse kryeministri Edi Rama, insiston në anulimin e dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi që ia kam thënë që për takimet e ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrejt ne takohemi shumë shpesh, nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia dhe paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohen kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë”.

“Por, për shkak se mbledhjet dy qeverive janë anuluar paarsyeshëm, andaj unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”.

“Edhe një herë unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të dy mbledhjeve të Qeverive, jo pa atë mbledhje”.

Kreu i ekzekutivit foli edhe për rëndësinë e procesit të Berlinit duke e përshkruar vetën, “si kryeministër që e mbështet fuqishëm këtë proces”.

“Procesi i Berlinit, është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan liderë politikë e institucional sikurse kryeministri i Republikës së Kosovës, që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështesë procesin e Berlinit”.

Pse u anulua mbledhja e dy qeverive?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media të mbajtur të martën në mbrëmje më 13 qershor, kur njoftoi anulimin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri, si shkak i këtij hapi të ndërmarrë duke thënë se, “e kam informuar kryeministrin Kurti se në kushtet e agravimit me orë të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euro-atlantike, ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”

Por, kreu i Qeverisë shqiptare nuk donte që të mos takohej fare me Albin Kurtin.

Për shkak të raporteve pothuajse të ngrira ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian pas situatës së tensionuar në Veri, Rama propozoi që të takoheshin në një format më të ngushtë – me ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes.

Por, këtë format takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte refuzuar me pretekstin se të tilla takime mund të organizojnë kur të duan, por ideja e mbledhjes së dy qeverive kishte koncept dhe format tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore