Lajme

Kurti i fiton të gjitha


As 1 për qind nuk janë kundër Albin Kurtit në Vetëvendosje.

Zgjedhjet e brendshme janë mbajtur dhe rezultati ka treguar atë që është thënë prej kohësh nga kundërshtarët e kësaj Lëvizje.

Albin Kurti është Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja Vetëvendosje është Albin Kurti.

Partia më e madhe në Kosovë me më së shumti votues e anëtarësi nuk ka arritur dot të prodhojë një kandidat të dytë në garën për kryetar partie dhe Kurti në garë me veten ka fituar në mënyrë absolute.

Nga numri i përgjithshëm i votave, Kurti mori 98.60 për qind pëlqim, me vetëm 0.89 për qind të votave kundër dhe 0.51 për qind abstenim.

Në njoftimin e Vetëvendosjes u tha se “Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt si rezultat i një pune të madhe që është bërë gjithandej nëpër qendrat e Lëvizjes”.

“Në këtë proces të gjatë janë strukturuar gjithsej 485 pika në 29 qendra”, thuhet në vazhdim të njoftimit për fitoren e Kurtit dhe përfundimin e procesit zgjedhor me sistemin “një anëtar, një votë”.

Në këtë proces të gjatë ka pasur shumë pakënaqësi. Në rreth 20 qendra ka pasur largime, pasi nuk janë lejuar të garojnë disa kandidat. Ata u kundërshtuan nga qendra në Prishtinë, që tashmë kishte vendosur se cilët janë kandidatët.

“Nëse ka dashur Lëvizja zgjedhje është dashur të lejojë garë, nëse ka dashur emërime, ka mund ta bëjë me emërime direkt”, pati thënë një i pakënaqur i larguar nga qendra e Vetëvendosjes në Lipjan.

Albulena Haxhiu

Në këto zgjedhje për herë të parë në Vetëvendosje është votuar edhe për kryetare të organizatës për gratë.

Në hapa të Kurtit dhe afër shifrave të tij ka dalur edhe Albulena Haxhiu – edhe kjo pa kundërkandidate.

Mbi 94 për qind kanë votuar pro Haxhiut, derisa vetëm 2.8 për qind kanë qenë kundër e 2.6 kanë abstenuar.

Gjithashtu, si risi ishte edhe zgjedhja e kryetarit të të rinjve të Vetëvendosjes.

Behar Jashari ka siguruar mbështetje prej 85.55 për qind të anëtarësisë. Edhe ky pa kundër kandidat, mori 7.55 për qind kundërshtim dhe 6.8 abstenuan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore