Lajme

Kurti homazhe në Marec dhe Makoc: Drejtësi për viktimat, ndëshkim për kriminelët


Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, këtë të marte ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Marec të Komunës së Prishtinës, në shënim të 24-vjetorit të rënies heroike të 27 dëshmorëve dhe vrasjes së 16 martirëve.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Kurti ka thënë se “bëhet fjalë për një betejë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ia futi tmerrin forcave armike serbe, të cilët më pastaj në fshatin Makoc, e shfrynë mllefin e tyre nga humbja e kësaj beteje mbi civilët e pafajshëm e të pambrojtur”.

“Ne, si institucione të Republikës, si politikanë përfaqësues, si qytetarë të këtij vendi u jemi përjetë mirënjohës e falënderues, por gjithashtu shprehim zotimin tonë edhe për kujtime e përkujtime institucionale, por gjithashtu edhe për angazhimin për drejtësi për viktimat e për ndëshkim për kriminelët”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, pas Marecit, ai bëri homazhe në Makoc, në masakrën më të madhe në komunën e Prishtinës.

“Ndërmjet datave 19 dhe 23 prill, u vranë gjithsej 115 civilë, fëmijë e pleq, që është një dëshmi e radhës së gjenocidit të Serbisë, që u mundua ta shfarosë popullin shqiptarë nga trojet e veta stërgjyshore”, shtoi kryeministri.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë e vendit!”, përfundoi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore