Lajme

Kurti falënderon Walkerin për kontributin gjatë luftës


Albin Kurti dhe William Walker

Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim miqësor, ish-shefin e Misionit Verifikues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, të cilin e falënderoi për kontributin e pazëvendësueshëm gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, njoftoi të dielën Zyra e Kryeministrit (ZKM).

“Kryeministri Kurti e falënderoi për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, duke përshkruar ndodhinë në Reçak si masakër dhe krim kundër njerëzimit”, thuhet në kumtesën e ZKM-së, ndërsa bëhet e ditur se ish-ambasadori Walker u shpreh i lumtur dhe krenar për arritjet e Kosovës.

“Ambasadori Walker tha se ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur në një periudhë të shkurtër kohore, duke u bërë një nga shtetet më demokratike në Evropë. Ai tha se sa herë që vjen në Kosovë u gëzohet ndryshimeve që i sheh teksa lëvizë nëpër rrugët e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e ekzekutivit kosovar të lëshuar të dielën pasdite.

Reçaku ishte një episod tjetër në serinë e gjatë të vrasjeve masive, një ngjarje tronditëse dhe tmerruese, mizoria e së cilës mund të matet me anë të peshimit të hirit dhe plagëve që mbeten të hapura. Çerek shekulli më pas, në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, bëhen homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, ku janë të gdhendur emrat e çdo personi të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore