Lajme

Kurti: EULEX viteve të fundit është bërë më i panevojshëm se kurrë më parë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin lamtumirës për shefin e EULEX-it Lars Gunnar Wigermark, ka deklaruar se “sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë”.

Përveç kësaj Kurti ka vlerësuar se misioni i Sundimit të Ligjit viteve të fundit është bërë më i panevojshëm.

Sipas tij, vetëm kështu tregohet se një Qeveri është hapave të duhur.

“Duke shprehur mirënjohje të thellë për punën e tij në krye të kësaj organizate, kryeministri tha se qëllimi përfundimtar i institucioneve të huaja të ndihmës nuk është të qëndrojnë përgjithmonë në vendet që ata ndihmojnë. Përkundrazi, është për t’i përgatitur ato vende që të qëndrojnë në këmbët e tyre”.

“Mënyra më e përshtatshme që një qeveri mund të shprehë falënderimet e saj ndaj një organizate të huaj ndihmëse është t’ia dëshmojë asaj se nuk është më e nevojshme”.

“Dhe gjithashtu, komplimenti më i lartë që mund t’i bëj ambasadorit Ëigemark, teksa mbylli tri vjet e gjysmë shërbim të shquar, është se nën udhëheqjen e tij, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit është bërë, në pjesën më të madhe, më shumë e panevojshme se kurrë më parë”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe shefi i EULEX-it, Lars Gunnar Wigermark.

Po ashtu, sipas tij, Kosova ka bërë një përparim të madh në sundimin e ligjit.

“Sipas kryeministrit Kurti, sundimi i ligjit në Kosovë nuk ka qenë kurrë më i fortë dhe se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në këtë fushë, veçanërisht në dy vitet e fundit”.

Kurti, e ka përmendur edhe rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij gjatë situatës së tensionuar ditëve të fundit në Veri.

“Kryeministri Kurti e veçoi rëndësinë e EULEX-it dhe praninë e tij në javët e fundit në Mitrovicën e veriut, ku sundimi i ligjit ende nuk është vendosur plotësisht”.

“Ai falënderoi gratë dhe djemtë e guximshëm të EULEX-it për shërbimin e tyre, së bashku me Policinë e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it, për të ndihmuar në ruajtjen e rendit dhe ligjit kundër milicisë së dhunshme dhe grupeve kriminale të nxitura dhe sponsorizuara nga Beogradi”.

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, kishte kërkuar që pas ngjarjes së në komunat në Veri të Kosovës të shmanget dhuna dhe tensionet.

“Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të veprojnë në mënyrë të matur, të qetë, për të evituar çdo dhunë apo kërcënim dhe të depërshkallëzohet situata që fatkeqësisht doli jashtë kontrollit në komunën Zveçan në Veri”, ka thënë Wigemark.

“Besojmë se ne si BE, e kam përsëritur edhe unë dje, vlerësojmë se zgjedhjet e fundit, ndonëse u mbajtën në rend të mirë, por përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogël të popullatës në veri të Kosovës dhe nuk janë zgjidhje afatgjate. Ajo mund të gjendet vetëm në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ku përfshihet edhe popullata e serbëve lokalë të Kosovës”.

Sipas tij, është e rëndësishme që të kuptohet ajo se çfarë po ndodh në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore