Kosova

Kurti është dorëzuar – është i gatshëm për zgjedhje, thotë Hoti


Avdullah Hoti

“Ka disa muaj që kryeministri i vendit është dorëzuar, është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, dhe në ndërkohë nuk është duke ndodhë asgjë”.

Kështu ka thënë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një intervistë për Kosovapress, derisa ka kërkuar që procesi zgjedhor të ndodh sa më shpejtë në mënyrë që të ketë një qeveri të përgjegjshme që udhëheq vendin në bashkëpunim me aleatët, meqë sipas tij, kjo ka munguar me qeverinë aktuale.

“Unë shpresoj se procesi zgjedhor të ndodhë sa më shpejtë që të kemi një qeveri të përgjegjshme që merr përsipër udhëheqjen e vendit në bashkëpunim me aleatet duke u marrë me prioritetet e këtij vendi siç është ekonomia dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, është fatkeqe për shtetin e Kosovës që jemi me një situatë ku është izoluar komunikimi i rregullt jo vetëm me aleatët ndërkombëtar, por edhe me shqiptarët në rajon”, tha Hoti.

“Asnjëherë Kosova nuk i ka pas marrëdhëniet më të acaruara me Shqipërinë, shqiptaret në Maqedoninë e Veriut, me forcat politike të shqiptareve në Luginë të Preshevës”, shtoi.

Teksa numëron dështimet, ai konsideron se kjo qeveri “ia ka dhënë të mbrapshtën edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, pasi që sipas tij, edhe qasja e aleatëve ka ndërruar në mënyrë negative në këtë drejtim me Qeverinë Kurti.

Po ashtu, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka potencuar se partia e tij i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme për të përmirësuar situatën aktuale të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore