Lajme

Kurti emëron Atdhe Hetimin drejtor të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës


Qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Atdhe Hetemin, si drejtor të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë 1998-1999.

Kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se janë të angazhuar për të zbardhur të gjitha krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë, e po ashtu qëllim kanë edhe matjen e dëmeve që janë shkaktuar.

“Sot e kemi bërë edhe një hap për institucionalizimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kujtesës kolektive e cila do të na shërbejë edhe neve por edhe brezave të ardhshëm po e jetësojmë institutin që do të adresojë krimet e Serbisë në luftën e viteve 1998-1999, andaj sot emërova zotërin Atdhe Hetemin drejtor të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë që do t’i prij këtij procesi”, ka thënë Kurti para ministrave.

Sipas tij, vetëm kështu mund të ruhet historia dhe vetëm kështu mund të kujtohet e kaluara.

“Sakrifica e popullit tonë është e madhe, plagët e luftës janë të thella dhe akoma të pranishme, është e pafundme dhimbja. Duke i dokumentuar krimet e luftës ne edhe e ndajmë dhimbjen, edhe e bëjmë më gjerësisht të njohur historin tragjike të shqiptarëve të Kosovës në raport me Serbinë kriminale”.

“Kjo vlen për ta ruajtur historinë dhe për ta kujtuar të kaluarën”.

Atdhe Hetemi, është ligjërues në departamentin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ai ka kryer doktoratën në Universitetin e Gent-it në Belgjikë me fokus në politiken e historisë së Ballkanit Perëndimorë.

Ky institut do të hulumtojë dhe dokumentojë rrethanat, në të cilat janë kryer krimet gjatë luftës duke bërë grumbullimin, verifikimin, sistemimin dhe ruajtjen e të dhënave, si dhe siguron qasjen publike për viktimat dhe palët e interesuara në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore