Lajme

Kurti e Vuçiç në “kryengritje”, takimi me “menaxherët e krizave” në pikëpyetje


Albin Kurti, Aleksander Vucic, Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak

Që nga momenti kur Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u dakorduan në Ohër të Maqedonisë së Veriut (18 mars) për sekuencimin e Marrëveshjes së Brukselit (27 shkurt), të dy liderët ngjanë të kenë bërë hapa drejt një “lufte të ftohtë”.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë.

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, duke qenë i vetëdijshëm se energjitë e konfliktit përftojnë një gjendje të tendosur konfrontimi, paralajmëroi “takim për menaxhimin e krizave” – çfarëdo që do të thotë kjo – mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, gjatë kësaj javë në Bruksel.

“Duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren. Duke parë situatën teksa përkeqësohet, jemi kthyer në fazën e menaxhimit të krizave. Unë do t’i ftoj të dy palët – Kosovën dhe Serbinë – për një takim për menaxhimin e krizave, javën që vjen, në Bruksel”, ka deklaruar Borrell të enjten e 15 qershorit.

Megjithatë, thirrjes së kryediplomatit evropian nuk i janë përgjigjur pozitivisht as kryeministri Kurti e as presidenti Vuçiç – të paktën jo deklarativisht dhe jo deri më tani – ndërsa kanë ashpërsuar retorikën ndaj njëri-tjetrit, me akuza për nxitje të konfliktit në veri të Kosovës.

Përderisa për kryeministrin Kurti ftesa e shefit të diplomacisë evropiane për një takim të nivelit të lartë ishte “pak e çuditshme”, presidenti Vuçiç ka thënë se një takim i tillë “nuk ka kurrfarë kuptimi”, ndonëse të dy liderët kanë pohuar se do të vendosin ditëve në vijim nëse do të shkojnë në Bruksel apo jo.

Vetë kreu i ekzekutivit kosovar, në planin e tij pesë-pikësh për uljen e tensioneve në veriun e territorit të populluar me shumicë serbe, kërkoi nga Bashkimi Evropian organizimin e një takim të nivelit të lartë mes tij dhe presidentit serb “gjatë kësaj jave” për t’i adresuar këto çështje.

“Menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve, Borrelli kërkon takim të nivelit të lartë. Kur eskalimi është i madh sa një mal, atëherë marrë ftesë që të shkojë në takim të nivelit të lartë, kurse kur kërkova vetë takim paraprakisht, thanë se nevojitet njëherë de-eskalim”, ka deklaruar kryeministri Kurti më 16 qershor.

Nga ana tjetër, shefi i shtetit serb ka deklaruar se s’do të flasë me kryeministrin Kurti derisa të mos lirohen serbët e arrestuar, derisa të mos largohen kryetarët e rinj nga komunat në veri të vendit e po ashtu edhe Policia e Kosovës nga ndërtesat e komunave – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.

“Është e pakuptimtë. Nuk ka asnjë kuptim. A do të vendosi teknikisht të shkojë atje apo jo, ky është vendim i yni taktik. Dialogu me Kurtin është inekzistent. Ai do luftë, do luftë me çdo çmim. Mendon se si dhe në çfarë mënyre do të bëjë provokim”, tha Vuçiç.

Përderisa kryeministri Kurti ka kritikuar ashpër qasjen e diplomatëve evropiano-amerikanë në dialog, duke thënë se po vijnë në Kosovë me kërkesat e Serbisë, presidenti Vuçiç ka konsideruar se kreu i ekzekutivit kosovar po përkrahet nga Perëndimi.

“Dhe ai e ka përkrahjen [e Perëndimit], gënjejnë kur thonë se nuk e ka. Mjaft me këtë. Ledhatoni foshnjën tuaj, bëni çfarë të doni me të, më pas më lajmëroni kur e kryeni punën tuaj”, ka thënë Vuçiç, në një adresim para popullit serb, të dielen e 18 qershorit.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë fatin e tre zyrtarëve policorë si kidnapim nga autoritetet e Serbisë në territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet e Serbisë pretendojnë se nuk bëhet fjalë për kidnapim, por për arrestim të policëve kosovarë në territorin serb.

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të “Forumit të Prespës për Dialog”, të mbajtur në Strugë të Maqedonisë së Veriut, vlerësoi se për çështjen në fjalë ekzistojnë “dy versione kontradiktore” dhe s’u ngut të gjykonte. Prandaj, tha se po i presin faktet.

“Le të presim nga NATO-ja që të na tregojë se çfarë ka ndodhur dhe ku ka ndodhur. Ne duam t’i qartësojmë faktet. Nuk duam të sjellim vendime pa i ditur të gjitha faktet. Po bëjmë gjithçka që mos të ndodhë një Ukrainë tjetër. Përkundrazi, ne duam normalizim”, deklaroi diplomati sllovak.

Përderisa një varg sanksionesh tepër serioze janë paralajmëruar nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë, veprimi i Serbisë s’e ka ngjallur reagimin e njëjtë.

Heshtja e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, veçanërisht nga KFOR-i, për këtë “akt agresioni qyqar dhe tinëzar”, të cilin misioni i NATO-s “kishte edhe mandat ta parandalonte”, nuk është pritur aspak mirë nga kryeministri Kurti, i cili kërkoi që KFOR-i të marrë “përgjegjësi ndërkombëtare”.

“Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it. Prandaj, ne ende jemi në pritje nga KFOR-i që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj të mbrojtjes”, tha kryeministri në Kuvendin e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit, për më tepër, ka thënë se arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën.

Ndryshe, shpesh është thënë se negociatat kanë “normalizuar idenë e normalizimit”, por nuk kanë prodhuar një ujdi që do të normalizonte realisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, raportet mes Kosovës dhe Serbisë kthehen në gjendje edhe më të keqe pas çdo takimi në Bruksel.

Po qe se dëshirohet të shmanget konflikti i mëtejmë, mësimi nga episodi i dhunshëm në veri të Kosovës është se kërkohet angazhim i hershëm para se njëra apo pala tjetër t’i futen spirales së dhunës dhe të bëjnë që zgjidhja e balancuar në frymën e kompromisit të jetë e pamundur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore