Lajme

Kurti dhe Abazoviq diskutojnë për mundësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Malit të Zi


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të martën e 24 majit është takuar me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kështu ka bërë të ditur, Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media.

“U diskutua për lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, si dhe potencialin e bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit më të madh socio-ekonomik dhe rritjes së investimeve në të dy vendet”.

“U veçuan projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, siç janë rruga Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë, e që do të afrojnë qytetarët dhe do të ndihmojnë ekonominë e të dy vendeve”, thuhet në komunikatë.

Mes të tjerash, është përmendur edhe mundësia për të mbledhjen e dy qeverive.

“U bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Malit të Zi, si dhe për organizimin e një mbledhje G2G ndërmjet të dy qeverive brenda këtij viti”.

Abazoviq i theksoi kryeministrit të Kosovës, se duhet promovuar politika që janë optimiste dhe respektuese, e që fokusohen në qytetarët.

Ndër të tjera, thuhet se, “kryeministri Kurti e uroi kryeministrin Abazoviq për marrjen e detyrës, duke i dëshiruar suksese në arritjen e rezultateve për qytetarët”.

“Duke biseduar për marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, Kryeministri Kurti e falënderoi Abazoviq për bashkëpunimin e ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi në shumë fusha”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përfundimit të vizitës së tij dy javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në “World Economic Forum”, i cili ka filluar të mbahet me 22 maji deri më 26 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore