Lajme

Kurti deri në vitin tjetër pa vizitë për në SHBA


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Vizitën e paralajmëruar për në nëntor, për në Shtëpinë e Bardhë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka shtyrë për në pjesën e parë të vitit 2022.

Kështu ka konfirmuar për Albanian Post, zyra për informim e Qeverisë së Kosovës.

”Kryeministri Kurti do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizita e paralajmëruar për në nëntor është shtyrë për në pjesën e parë të vitit të ardhshëm”.

Kurti që nga marrja e detyrës, tetë muaj më parë, “ka zhvilluar vizita zyrtare në qendra të rëndësishme perëndimore si Bruksel, Paris e Vjenë e që do të vazhdojnë edhe në qendra të tjera vendimmarrëse përfshirë Washingtonin”, thuhet në njoftim.

Kryeministri kishte deklaruar disa muaj më parë se do të vizitojë SHBA-të gjatë muajit nëntor, por një gjë e tillë nuk ndodhi. E përveç se nuk ndodhi në nëntor, nuk do të ndodhë as në muajin dhjetor.

Në vazhdimësi është kritikuar Kurti nga partitë opozitare se ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të e sidomos kjo çështje u diskutua edhe më shumë pas refuzimit të projektit të Gazsjellësit Amerikan.

Ndërsa së fundi Qeveria ka pranuar edhe një notë diplomatike nga SHBA përmes ambasadës së saj në Kosovë kur kishin kuptuar se Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, kishte kërkuar përdorimin e disa autoblindave ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për situatën në Veri të Kosovë, duke kërkuar fillimisht që ato të lyheshin me ngjyrën e kaltër të policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore