Lajme

“Kurti bëri gabim historik”, Çitaku për marrëveshjen për të pagjeturit


Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas miratimit të deklaratës për personat e pagjetur, në mes të Kosovës dhe Serbisë, në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo tha se “kjo Deklaratë përfundimisht e liron Serbinë nga përgjegjësia ndërkombëtare për zhdukjen me dhunë të individëve gjatë luftës në Kosovë (1998-1999)”.

“Kurse Kosovën e gjuan në rolin e palës që ka kryer krime në mënyrë institucionale, njëjtë sikur Serbia”, deklaroi ajo.

Dhe siç thotë Çitaku, kjo ndodhi, pikërisht në ditën kur ishte përvjetori i masakrës në Studime, ku 116 civil të pambrojtur, gra e burra, pleq e fëmijë, u vranë brutalisht nga aparati shtetëror i Serbisë”.

E, këtë ajo e konsideroi si një “gabim historik” që e ka bërë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Shqetësuese se si bëhet barazimi palëve sa i përket provave materiale për të zhdukurit, të cilat prova gjoja gjenden nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve”, pohoi ajo.

Të gjithë këtë situatë, nënkryetarja e PDK-së e përshkroi si “skandaloze”.

Ndryshe, këtë të marte është publikuar nga Bashkimi Evropian deklarata e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe tashmë është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Marrëveshja iu referohet personave të zhdukur në luftën e fundit vetëm si Persona të Pagjetur, përveç në një vend ku thuhet “personat e zhdukur me forcë” që në anglisht është “forcibly disappeared”, çka përbën dallim nga sa ka dashur Kosova të jetë që ishte “enforced disappearance”.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Deklarata zyrtare e publikuar nga BE, tashmë qartëson se terminologjia zyrtare do të jetë Persona të Pagjetur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore