Lajme

Kurti, autoriteteve serbe: Tregojeni forcën në ring, jo në kufi


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përmes një cicërime në Twitter, ka thënë se “Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit jo në kufi”, pasi nuk janë lejuar boksierët kosovarë që të marrin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd.

“Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave ndërkombëtare të sportit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ai u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë veprimin diskriminues të Beogradit zyrtar.

“I bëj thirrje BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare ta dënuar këtë shkelje dhe veprim diskriminues”, ka shkruar Kurti.

Të hënën, edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, e kritikoi mungesën e reagimit të BE-së ndaj vendimit të Serbisë.

“Kemi kërkuar reagim edhe nga BE-ja, e cila në raste të tjera ka qenë shumë e kujdesshme gjatë reagimeve, por, për çudi, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim për shkelje të pastër të të drejtave themelore të sportistëve”, theksoi Çeku.

Hajrullah Çeku – Minister i Kulturës të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka theksuar se BE-ja e mbështet kërkesën e Asociacionit Ndërkombëtar të Boksit që Federatës së Boksit të Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrja e barabartë në gara”.

“Siç e kemi thënë disa herë në të kaluarën, normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike”, potencoi Stano.

“Shkëmbimet e tilla janë thelbësore për të ndërtuar mirëkuptimin. Autoritetet në të gjitha nivelet nuk duhet t’i kursejnë përpjekjet për të siguruar që shkëmbimi i tillë bëhet rregullisht, në mënyrë të papenguar dhe pa asnjë shqetësim”.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së

Kujtojmë që ekipi kombëtar i boksit të Kosovës, nuk u lejua të hyjë në territorin e Serbisë, pas dy tentativave, pasi që policia kërkonte heqjen e simboleve shtetërore për t’u futur aty.

Ekipi kombëtar i boksit të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore