Lajme

Kurthe kamerash në Trieste: Si do të kontrollojë rajoni hyrjen e emigrantëve?


Nisma vjen drejtpërdrejt nga Rajoni Friuli Venezia-Giulia. 65 kamera janë blerë për të monitoruar kufijtë me Slloveninë.

Qëllimi shpjegohet nga Pierpaolo Roberti, këshilltar rajonal për autonomitë lokale, funksionin publik, sigurinë, emigracionin, i cili tregon për “kontrollin e një territori, atë të Triestes”.

Kamerat do të jenë “mjete për identifikimin , lëvizjen dhe gjurmimin e flukseve të emigrantëve dhe për të qenë në gjendje të kryejnë hetime kundër kalimtarëve” që operojnë në rrugën ballkanike.

Në të kaluarën, vetë ai i kishte përcaktuar si “kurthe kamerash”. Ndryshe, një “mur teknologjik” në kufi.

Këtë javë sytë elektronik do t’i dorëzohen forcave policore të Triestes dhe Gorizias. Të shpërndara në kryeqytet do të jenë 50 prej tyre: 20 në komisariatin e policisë, 10 në komandën krahinore të karabinierisë, 10 në atë të policisë së financës dhe të tjerët do të qëndrojnë në policinë vendase.

Ndërsa 15 të mbeturit, pjesërisht do t’i dorëzohen komisariatit të Gorizisë.

Sakaq, kamerat e vendosura në zonat e pyllëzuara do të kontrollohen nga distanca, “të dobishme për hetime”, gati për të kontrolluar dhe dalluar njerëz apo kafshë.

Për këtë çështje ndërhyn edhe guvernatori Massimiliano Fedriga.

“Ne si rajon kemi bashkëpunuar gjithmonë me forcat e rendit duke ofruar instrumente të dobishme për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe luftën kundër kontrabandistëve”, ka shpjeguar guvernatori.

Fedriga vëren se kamerat “mund të përdoren edhe në kontekste të tjera, siç është lufta kundër trafikut të drogës”.

Po polemika për përdorimin e syve elektronikë?

“Jam i habitur që dikush është kundër trafikimit të paligjshëm të emigrantëve. Nëse po, ju lutemi shpreheni qartë. Atëherë është e qartë se kamerat nuk janë në vetvete një mjet zgjidhjeje”.

“Duhet të gjejmë marrëveshje me vendet e origjinës, të forcojmë ripranimet në Slloveni, çështje në të cilat duhet të ndërhyjë edhe BE-ja”.

Janë “kurthe kamerash” apo kamera?

“Nuk jam i apasionuar pas kësaj pyetjeje, le t’i quajmë kamera të aktivizimit automatik, kjo është më mirë. E rëndësishme është që të shërbejnë”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore