Lajme

Kurteshi: Zgjedhjet në Veri janë legjitime, serbëve askush nuk ia ka ndaluar që të marrin pjesë


Sami Kurteshi

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor të Kosovës, Sami Kurteshi, në një intervistë për televizionin Dukagjini është shprehur se zgjedhjet që janë duke u mbajtur në katër komunat në Veri të Kosovës janë legjitime, e kjo pasi që askush nuk ia ka ndaluar serbëve që të marrin pjesë.

“Legjitimiteti si koncept ka disa aspekte, e ka aspektin procedural, në aspektin procedural gjithçka ka qenë në rregull, por nëse thuhet se qendrat e votimit nuk kanë qenë nëpër objektet shkollore, atëherë kjo ka ndodhur për shkak se KQZ-ja me rekomandimin e organeve të sigurisë ka dashur që ta shmangë çdo incident të mundshëm”, tha Kurteshi.

Ndërsa, kërkesave që të mos mbahen këto zgjedhje, e që kanë ardhur nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe dhe nga të gjitha institucionet e Serbisë, dhe sic thotë Kurteshi e grupeve kriminale, e kjo sipas tij ka pasur për qëllim “që të dëshmojnë politikisht se sovranitetin në këtë pjesë e kemi ne, edhe monopolin e kemi ne, pushtetin faktik e kemi ne, dhe askush nuk mund të bëjë asgjë për ta ndaluar këtë”.

“Por, jo, një shtet që e konsideron që e ka territorë të vetin dhe e ka sovranitetin e vetë në atë pjesë duhet që të i mundësojë zgjedhjet dhe mos të lejojë monopol”, tha ai.

“Zgjedhjet janë pikërisht kundër monopolit”.

Për ta argumentuar më tutje legjitimitetin e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, ai tha se “në aspektin ligjor gjithçka është në rregull, pasi që duhet të konstituohen institucionet demokratike, nuk mund të ketë vakum institucional”.

“E vetmja mënyrë për ta bërë këtë janë zgjedhjet, pra është vota e lirë”, shtoi ai.

Mungesa e serbëve në këto zgjedhje, Kurteshi thotë që nuk i delegjitimon këto zgjedhje, pasi që siç thotë ai “askush nga asnjë institucion nuk ja ka ndaluar të drejtën për të zgjedhur, mirëpo KQZ-ja dhe askush tjetër s’ka të drejtë të i detyrojë njerëzit që të dalin në zgjedhje”.

“Qeveria e Kosovës e ka garantuar sigurinë e qytetarëve atje, po e ka garantuar për aq sa ka thënë se ju jeni të lirë të dilni që të votoni, por a ka shkuar që çdo individit t’ia thotë këtë, kjo është e pamundur, dhe nuk mund që të ndodh në asnjë shtet”.

Po ashtu, ai komentoi edhe numrin e madh të forcave të rendit për të cilat vlerëson se në një situatë normale numër kaq i madh i forcave të sigurisë afër qendrave të votimit, “nuk do të ishte i nevojshëm në rrethana normale”.

“Me një vend demokratik shkojnë njerëzit votojnë dhe nuk ka nevojë që të ketë kaq shumë forca të rendit”.

Ndryshe, nga 45 mijë e 95 qytetarë me të drejtë vote në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të drejtën e tyre në zgjedhjet e jashtëzakonshme e kanë shfrytëzuar vetëm 1 mijë e 92 veta, apo vetëm 2.42 për qind e votuesve, deri në orën 15:00.

Kështu ka njoftuar zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Valmir Elezi, në konferencën për media.

Komuna me daljen më të madhe ka qenë Zubin Potoku, ku nga 6 mijë e 661 qytetarë kanë votuar vetëm 240, apo 3.6 për qind.

Komuna e dytë me dalje më të mirë prej 3.3 për qind ka qenë Mitrovica e Veriut, ku nga 18 mijë e 118 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 597 veta.

Në Zveçan, nga 6 mijë e 998 qytetarë kanë dalur në zgjedhje vetëm 145, apo 2.07 për qind dhe komuna me daljen më të ulët vazhdon të mbetet ajo e Leposaviqit, me vetëm 110 votues nga 13 mijë e 318 persona me të drejtë vote.

Për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve nga Lista Serbe është pritur që të ketë dalje shumë të vogël në zgjedhje, megjithatë ky rezultat ku nuk kalohet as 3 për qind e atyre me të drejtë vote është akoma më i ulët se sa është menduar.

Përtej rezultatit, sa i përket situatës së sigurisë, Elezi tha se gjithçka ka shkuar mirë, derisa konferenca e radhës do të jetë në orën 19:00, atëherë kur mbyllen qendrat e votimit.

Vetëm 2.42% kanë votuar deri në orën 15:00 – dalje jashtëzakonisht e ulët në zgjedhjet e jashtëzakonshme

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore