Lajme

Kur Zhizhek fliste për çështjen e rishikimit të kufijve në Ballkan: “Kosova dhe Serbia duhet t’i shkëmbejnë territoret dhe pastaj Kosova t’i bashkohet Shqipërisë”


Slavoj Žižek

Publikut kosovar iu prezantua gjerësisht në vitin 2018 ideja e ripërcaktimit të kufijve nga atëherë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por vite para tij, për këtë çështje kishte folur filozofi i famshëm slloven, Slavoj Zhizhek.

Ai, në një intervistë të para disa viteve për mediumin Al Jazeera, duke folur për opsionet e arritjes së paqes mes popujve në Ballkan, kishte dhënë idenë se një ndarje që u përshtatet vijave etnike të popujve në këtë pjesë të botës, mbase do të mundësonte krijimin e shteteve stabile dhe marrëdhënieve të mira ndërshtetërore.

Zhizhek në këtë intervistë të vitit 2012 thoshte se Kosova dhe Serbia duhet t’i shkëmbejnë territoret dhe pastaj Kosova t’i bashkohet Shqipërisë.

“Kosova të marrë pjesë proporcionale në Serbi dhe t’i jap Serbisë ato pjesë që janë të banuara me serbë. Dhe pas kësaj i lejohet Kosovës të bashkohet me Shqipërinë”, ka deklaruar Zhizhek në një intervistë të cilën e ka postuar këtë të enjte në llogarinë e tij në Tëitter.

Ai mendonte se vetëm me këtë proces mund të arrihej stabiliteti në Ballkan, por argumenton se këto çështje mund të jenë shumë traumatike.

Sa i përket funksionalizimit të Bosnje dhe Hercegovinës, filozofi slloven shkurt komentonte duke thënë “Bosnja ‘de facto’ nuk është shtet”.

Një pjesë e kësaj video, ajo për ripërcaktimin e kufijve gjatë të enjtes është përhapur në llogari të ndryshme në Twitter, duke e rikthyer edhe një herë në diskutim këtë version, i cili në Kosovë ishte mohuar nga pjesa më e madhe e kastës politike.

Intervista e plotë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore