Lajme

“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”: Fshihet grafiti luftënxitës në Podgoricë


Podgoricë/09 gusht 2023

Grafiti luftënxitës “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” që ishte vizatuar para një dite pranë ish-kazermës ushtarake në Podgoricë, të martën është mbuluar me ngjyrë të bardhë nga Policia e Malit të Zi me kërkesën e kryetares së kryeqytetit malazez, Olivera Injaç.

“Ne kemi reaguar menjëherë pas raportimit dhe shërbimet kompetente kanë hequr mbishkrimet”, kanë thënë për portalin malazez “Cafe del Montenegro” nga kabineti i kryetares së Podgoricës, të martën, duke iu referuar presionit të qytetarëve malazezë për fshirjen e “grafitit të turpit”.

Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge turbo-folk të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije, ndërsa këtë mesazh e kanë shfaqur para dy jave tifozët e klubit futbollistik “Crvena Zvezda (Ylli i Kuq)” në Beograd.

Foto: Dragan Mijatoviç/Pobjeda

E njëjta është shfaqur më 2 gusht në Banja Llukë – qyteti i dytë më i madh në Bosnje-Hercegovinë dhe kryeqyteti politik i entitetit serb – afër rrugës kryesore që të çon në Prijedor, atje ku janë kryer disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës më 1992-1995.

Koreografia luftënxitëse e shfaqur nga huliganët serbë të futbollit, ishte identike edhe me atë të shfaqur në shkurt të këtij viti në një park lojërash për fëmijë në qendër të Beogradit, saktësisht në muret e Institutit për Kimi, Teknologji dhe Metalurgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore