Lajme

Kur Millosheviç ishte gati të bisedonte me Rugovën “edhe në planetin mars”


Vuk Drashkoviç

Shkrimtari dhe politikani serb Vuk Drashkoviç, i cili shërbeu edhe si zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë luftës në Kosovë më 1999, në një libër të titulluar “Plagët e Jetës”, ka rrëfyer disa pjesë nga bisedat e tij me ish-Presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviç.

Ai ka zbuluar se Millosheviç ishte i gatshëm të dialogonte pa kushte me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugovën, madje “edhe në planetin Mars”.

“Unë pranoj çdo bisedë, qoftë edhe në Mars. Por ne nuk do t’ua japim atyre Kosovën”, kishte thënë Millosheviç.

Siç bënë të ditur vetë Drashkoviç, ai qe në favor që Kosova të marrë shkallën më të lartë të autonimisë me kushtin e vetëm “që të mbrohen serbët e Kosovës dhe trashëgimia e tyre fetare e historike”.

Kosova si Hong-Kongu pas gjysmë shekulli

“Ne nuk do ta japim (Kosovën) dhe ne do ta mbrojmë (Kosovën). Çdo gjë tjetër është për hir të dialogut. Pas pesëdhjetë vjetëve le të bëhet Kosova si Hong Kongu”, ka shkruar Drashkoviç, transmeton Kurir.

Drashkoviç e kishte këshilluar kasapin e Ballkanit, që nëse dëshironte të mos bombardojë NATO atëherë ai duhej të ndalte banditët të shkonin në Kosovë, të respektonte marrëveshjen me (Richard) Holbrooke, të mos kërcënonte (William) Walkerin dhe OSBE-në dhe “t’ia mbyllte gojën (Vojislav) Shesheli”.

Sa i përket fashistit Sheshel, Millosheviç-i kishte thënë se ai është i çmendur dhe se e keqja më e madhe në skenën politike të Serbisë është pikërisht ai.

“Unë po ngatërrohem dhe po poshtëroj veten për të kënaqur ata në perëndim, dhe ai është duke shkatërruar gjithçka që po ndërtoj”, shprehej Millosheviç.

“Kosova ka ikur”

Interesante është edhe biseda që Drashkoviq, pasi u bë ministër i Jashtëm në prill të vitit 2004, pati me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Colin Powell.

Siç e ka përshkruar në librin “Plagët e Jetës”, në takimin me Powell-in, ai e ka nisur rrëfimin për statusin e Kosovës duke thënë: “Më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi”.

Reagimi i sekratarit amerikan qe i prerë: “Zoti Drashkoviç, Kosova ka ikur”.

Drashkoviq vazhdoi: “Shqiptarët do të kishin parlamentin e tyre të pavarur, presidentin e tyre, kushtetutën e tyre…”, por më pas politikani amerikan e ndërpreu duke përsëritur fjalinë e njejtë: “Zoti Drashkoviq, Kosova ka ikur”.

Ministri i atëhershëm serb më pas parashtroi një propozim interesant: “Unë propozoj që Kartës së OKB-së t’i shtohet një nen me dy paragrafë. Që paragrafi i parë të thotë se SHBA-të kanë gjithmonë të drejtë. Dhe se paragrafi i dytë thotë se, në rast se të kundërshtimit të kujtdo, zbatohet paragrafi i parë.”

Presidenti serb kishte telefonuar Drashkoviç-in me bindjen se ky i fundit, përmes kontakteve të tij në qarqet diplomatike, mund të ndihmonte në parandalimin e bombardimeve të NATO-s.

Për këtë favor, ai i ofroi edhe postin e zëvendëskryeministrit për punë të jashtme dhe tri poste ministrore.

“Oferta ime është e nderuar dhe në interes të shtetit. Ti je armiku im politik, e unë jam i yti. Ne shikojmë njëri-tjetrin në sy dhe nuk gënjejmë. Si Komandant Suprem, unë nuk kam të drejtë ta tregoj armiqësinë time ndaj jush dhe ndaj partisë tuaj, sepse interesat e popullit dhe të shtetit janë mbi partitë dhe ndjenjat personale”.

Refuzimi i Millosheviç-it për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë bëri që NATO të bombardojë Serbinë përmes sulmeve ajrore që zgjatën nga 24 marsi i vitit 1999 deri më 10 qershor 1999.

Gjykimi për krime lufte i Slobodan Millosheviç-it, ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë zgjati pak më shumë se katër vjet nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në 2006. Millosheviqi u përball me 66 akuza për krime kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve lufte të kryera gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore