Lajme

Kur do t’i hiqen masat ndëshkuese Kosovës nga BE-ja?


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që u ishin vendosur Kosovës gjatë muajit qershor të vitit të kaluar për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri, do largohen “kur të vlerësohet se janë ndërmarrë hapat e duhur për shtensionimin e situatës në Veri.

“Blloku është duke e vëzhguar situatën në terren dhe duke punuar bashkë me partnerët për të parë nëse janë ndërmarrë masat e duhura”, tha Stano gjatë një konference për media.

Ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Euro News Albania pati thënë se Qeveria ka pritur që në Samitin e Bashkimit Evropian që u mbajt më 13 dhjetor Bruksel, t’iu hiqeshin masat që u ishin vendosur Kosovës.

“Pritshmëria jonë ishte që Samiti do të përdorej për të korrigjuar këtë gabim që e ka dëmtuar ekonominë e vendit, por edhe imazhin e Kosovës. Ne besojmë që këto masa negative kanë prodhuar çekuilibër në procesin e dialogut. Pavarësisht faktit se qëllimi ndoshta ishte për të nxitur sjellje konstruktive, në këndvështrimin e tyre, kjo dështoi”, theksoi Bislimi.

Bislimi: Në Samitin e BE-së pritëm të korrigjohej gabimi e t’i hiqeshin sanksionet Kosovës

Ai ka treguar se shumë vende e mbështetën heqjen e menjëhershme të masave, por kishte edhe vende që ishin pro heqjes graduale të masave, derisa ka shtuar se “problemi është se kur ka shtete që mbështesin diçka dhe shtete që këmbëngulin për diçka, numrat nuk kanë rëndësi”.

“Gjithnjë do të ndodh ajo për të cilën shtetet këmbëngulin. Në rastin e Serbisë, 26 shtete u dakorduan për diçka, por Hungaria këmbënguli për diçka tjetër dhe ky pozicion mbizotëroi. Kemi shtete që përkrahin heqjen e masave, por na duhet dikush që të këmbëngul për këtë. Kjo do të ndihmonte”, theksoi ai.

Muajin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka prirje nga disa vende për t’i keqpërdorur masat që blloku i vendosi në fillim të këtij viti ndaj vendit të saj, për ta “kushtëzuar atë për çështje plotësisht tjera”.

“Sa i përket masave, ato është dashur të hiqen moti, në fakt nuk është dashur të vendosen kurrë”, kishte thënë Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore