Lajme

Bislimi: Në Samitin e BE-së pritëm të korrigjohej gabimi e t’i hiqeshin sanksionet Kosovës


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Euro News Albania ka thënë se Qeveria ka pritur që në Samitin e Bashkimit Evropian që u mbajt më 13 dhjetor Bruksel, t’iu hiqeshin sanksionet që u ishin vendosur Kosovës gjatë muajit qershor për mos përmbushjen e kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në Veri.

“Pritshmëria jonë ishte që Samiti do të përdorej për të korrigjuar këtë gabim që e ka dëmtuar ekonominë e vendit, por edhe imazhin e Kosovës. Ne besojmë që këto masa negative kanë prodhuar çekuilibër në procesin e dialogut. Pavarësisht faktit se qëllimi ndoshta ishte për të nxitur sjellje konstruktive, në këndvështrimin e tyre, kjo dështoi”, tha Bislimi.

Ai ka treguar se shumë vende e mbështetën heqjen e menjëhershme të masave, por kishte edhe vende që ishin pro heqjes graduale të masave.

“Problemi është se kur ka shtete që mbështesin diçka dhe shtete që këmbëngulin për diçka, numrat nuk kanë rëndësi. Gjithnjë do të ndodh ajo për të cilën shtetet këmbëngulin. Në rastin e Serbisë, 26 shtete u dakorduan për diçka, por Hungaria këmbënguli për diçka tjetër dhe ky pozicion mbizotëroi. Kemi shtete që përkrahin heqjen e masave, por na duhet dikush që të këmbëngul për këtë. Kjo do të ndihmonte”, theksoi ai.

Në këtë intervistë, Bislimi ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjkau.

“I kemi përfunduar hetimet tona. Fatkeqësisht shohim një hezitim të prokurorisë për të lëvizur më shpejt. Mbetet për t’u parë në çfarë mase kjo vjen nga procedurat e brendshme dhe në çfarë mase mund të jenë të ekspozuar ndaj presioneve të jashtëm”, potencoi zëvendëskryeministri.

Ndërkohë, potencoi Bislimi, “autoritetet amerikane kanë kryer hetime të pavarura dhe besojmë që konkluzionet e tyre duhet të ishin publikuar deri më tani”.

“Emëruesi i përbashkët i këtyre hetimeve është se në të gjitha aktivitetet para dhe pas Banjës, nuk janë domosdoshmërit të përfshira vetëm autoritetet serbe”.

Madje i dyti i Qeverisë së Kosovës deklaroi se ka gjurmë që të çojnë tek presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore