Lajme

Kuotë e përkohshme për gjuetinë e delfinëve në ishujt Faroe


Muaj pas therjes shumë të kritikuar të më shumë se 1 mijë e 400 delfinëve në ishujt Faroe, qeveria ka vendosur një kuotë.

Kuota e përkohshme e gjuetisë është 500.

Árni Skaale, ministri i atjeshëm i Peshkimit, ka thënë se kuota kishte për qëllim të siguronte qëndrueshmëri.

“Ne kemi të drejtë të bëjmë gjueti”, por ekziston një  detyrim për të mbrojtur burimet e vendit, ka shtuar ai.

“Ne duhet të përdorim gjithçka në mënyrë të qëndrueshme”, ka theksuar ministri.

Sakaq, kuota pritet të zbatohet në fund të korrikut. Sipas qeverisë, ajo përfaqëson një pjesë të 80 mijë balenave dhe delfinëve që vlerësohet të jenë në Atlantikun e Veriut.

Meqë do të jetë e përkohshme, masa do të jetë në fuqi deri në vitin 2024.

“Ky njoftim nga qeveria e Faroe-s është farsë”, ka dalluar Sally Hamilton, drejtore e organizatës bamirëse për ruajtjen e detit Orca.

“Ajo që kanë bërë ata është zyrtarizimi i diçkaje që ishte jo-formale më parë”, ka vijuar ajo.

Për të, ishujt Faroe janë bërë një thertore për gjitarët detarë dhe se vendi duket i pa shqetësuar për zemërimin dhe dënimin ndërkombëtar që po shkakton.

Por Skaale ka këmbëngulur se kuota prej 500 ishte e justifikuar. “Kjo do të parandalojë një gjueti si ajo e vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar, masakra e madhe shkaktoi një protestë ndërkombëtare dhe po ashtu zbuloi kundërshtime në vend.

Një sondazh i publikuar pas masakrës tregoi se teksa 83 për qind e banorëve të ishullit mbështesin vrasjen e balenave, 53 për qind ishin kundër shtrirjes së saj te delfinët.

Edhe kompanitë kanë dalë kundër vrasjeve.

Firma më e madhe e ishujve për kultivimin e salmonit, Bakkafrost, ka lëshuar një deklaratë duke thënë se therja ishte “krejtësisht e papranueshme”.

Në shkurt, Shoqata e Akuakulturës e Faroe-s, një organ që përfaqëson peshkatarët, bëri thirrje për një ndalim total të vrasjes së delfinëve.

Ndërkohë qeveria ka thënë se do të rishikojë kuotën në vitin 2024, duke përdorur informacione të përditësuara mbi popullatat e delfinëve nga Komisioni i Gjitarëve Detarë të Atlantikut të Veriut.

Ky i fundit përfaqëson katër vendet e gjuetisë së balenave në rajon – Norvegjinë, Islandën, Grenlandën dhe Ishujt Faroe.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore