Lajme

Kundërshtohet rritja e tarifave të energjisë elektrike për bizneset, ekspertët thojnë se ndikon në rritjen e çmimit të produkteve


Ilustrim

Propozimi që është bërë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike – nga bizneset po konsiderohet se do të ketë ndikim negativ tek qytetarët të cilët janë konsumator. Rritja e çmimit të rrymës për bizneset, domosdoshmërisht rrit edhe çmimet e produkteve, kanë vlerësuar njohësit e ekonomisë.

Për rritjen e çmimit të energjisë, Qeveria e Kosovës propozoi që tarifat të rriten vetëm për bizneset, dhe të mos ketë rritje për konsumatorët, pra çmimi të mbetet i njëjti për ta.

“Kjo do të bëjë që bizneset me automatizëm të rrisin çmimin e produkteve, vlerëson për Radio Kosovën, kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku.

Po ashtu, ai thotë se qeveria nuk po merret me shkaktarin e problemit që solli deri në këtë rritje të çmimeve.

“Pushteti, si ky, si ai i legjislaturës së kaluar, asgjë nuk kanë bërë më shumë që këtë buxhet ta shndërrojnë në buxhet performues, ku qytetari nuk do të rrezikohej as nga ngritja e drejtpërdrejtë e çmimit, e këtë herë të çmimit të energjisë elektrike as nga ngritja indirekte siç është tani nëpërmjet bizneseve të cilat ato gjithsesi që do t’i kompensojnë duke i fryrë çmimet përfundimtare për qytetarë”, shtoi Kaçaniku, transmeton Ekonomia Online.

Të indinjuar nga rritja e çmimeve të tarifave janë shprehur edhe qytetarët e Kosovës, ata për Radio Kosovën thanë se kjo do ta varfëronte shumë më shumë shportën e tyre, dhe do të dëmtonte po ashtu financat e tyre.

“Çdo rritje që prek bizneset, rritet edhe çmimet e të tjerave produkteve e që për neve janë shumë të mëdha. Një kosto e shtrenjtë për neve e që bëhet pa dëshirën tonë. P.sh. nëse përpara kemi marrë produkte me 20 euro, sot ato produkte nuk mund t’i marrësh pa 30- 35 euro. Kjo është shumë shtrenjtë nëse ndodh, i dëmton qytetarët dhe shumë shtrenjtë”, tha një qytetar.

Për profesorin e ekonomisë, Veli Lecaj, ngritja e tarifave të rrymës për bizneset, nëse do të ndodh, atëherë sipas tij njashtu do të rritet edhe kostoja e jetesës për konsumatorët.

“Vetë ngritja e çmimit te bizneset, ngritet edhe kosto e jetesës për konsumatorët e tjerë. Do të ishte mirë që ky çmim për kilovat të energjisë të ruhet edhe për një kohë të caktuar, qoftë për biznese apo edhe për konsumatorët, së paku deri në fund të vitit. Mendoj që se konsumatorët e kanë shumë të vështirë që t’i bëjnë ballë”, potencoi Lecaj.

Ndryshe, propozimin për ngritjen e tarifave të energjisë në raport me bizneset, qeveria e ka paraqitur në vazhdën e komenteve dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për procesin tarifor, i cili pritet të përmbyllet në fund të këtij muaj.

Por, zyra e Presidentes së Kosovës e kishte pritur me shqetësim mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë në Kosovë, ndërsa ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që mundësisht të shmanget një vendim i tillë.

E para e vendit kishte rekomanduar që tarifat të mos ndryshohen për shkak të normës së lartë të inflacionit dhe që kostot shtesë të operatorëve të mbulohen përmes pakos 75 milionëshe të BE-së.

“Duke i konsideruar rrethanat e cekura më lart, ZPRK-ja rekomandon që në këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm tarifor të vlerësohen mundësitë për shmangie të rritjes së tarifave duke inkurajuar komunikimin dhe koordinimin ndërinstitucional, me qëllim të sigurimit të subvencionimit të kostove shtesë të cilat kanë ndikuar në rritjen e vështirësive për operatorët e rregulluar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore