Lajme

“Kundër koordinimit me Radojiçiç-in” – Sot mbahet protesta e veteranëve


Ilustrim

Këtë të shtune duke filluar nga ora 18:00, do të mbahet protestë në sheshin “Skënderbe”.

Kjo protestë është thirrur nga shoqëria civile, për shkak siç thanë ata në njoftimin e publikuar; me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të qeverisë më Milan Radojiçiç-in” – pas publikimit të audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke bashkërenduar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin Radojiçiç.

Përveç kësaj, arsye tjetër për të protestuar kanë thënë se është edhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, kjo pasi që mazhoranca në seancën e së enjtes miratoi Ligjin për Pagën Minimale, në të cilin u lanë jashtë veteranët e UÇK-së.

Sipas organizatorëve të protestës në fjalë, Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare.

“Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, thuhet mes tjerash në thirrjen për protestë.

Nuk kanë munguar as përkrahjet për këtë protestë.

Një ditë pasi paralajmëruan se do t’i shqyrtojnë masa që do t’i ndërmarrin për të kundërshtuar Ligjin për Pagën Minimale, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë të ditur se do të mbështesë protestën e ditës së shtunë të organizuar nga shoqëria civile kundër Qeverisë së Kosovës.

Pas mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se përveç vendimit të mbështetjes së protestës në fjalë, kjo organizatë është dakorduar që të pengojë seancat e Kuvendit të Kosovës, duke penguar që deputetët të futen në Kuvendin e Kosovës kur ka seanca Parlamenti.

“Kryesia morri vendim që të pengojmë seancat e Kuvendit të Kosovës, kur ata i kanë seancat ne do të dalim aty që t’i mos i lejojmë që t’i mbajnë sepse qëndrimet tona qysh nga viti i kaluar kanë qenë që nëse ata mendojnë që të na shkelin kështu, natyrisht që edhe ne do të organizohemi që t’i pengojmë që të mos funksionojnë”, ka theksuar Klinaku në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së OVL-UÇK-së.

“Është marrë vendim që të mundohemi t’i pengojmë çdo seancë të Kuvendit dhe me këtë rast iu bëjë thirrje gjithë veteranëve të luftës që në momentin që kur marrim vesh që këta i kanë seancat ne dalim aty dhe nuk i lejojmë të futen brenda”.

Ai ka paralajmëruar se OVL-UÇK po përgatit edhe protesta, të organizuara nga kjo organizatë për të kundërshtuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës përmes së cilës veteranët e UÇK-së mbeten jashtë pagës minimale që u votua në lexim të dytë, të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Mbështetja nuk mungoi as nga partitë politike.

Nënkryetarja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook”, ka bërë të ditur se do të marrë pjesë në protestën kundër qeverisë e thirrur për të shtunën nga shoqëria civile.

Madje, Çitaku ka dhënë edhe arsyet se pse do të jetë prezente të shtunën në sheshin “Skënderbe”.

“Për gjithë ato gra e burra që patën guxim ta mundin frikën dhe vdekjen”, shkroi ajo në “Facebook”, duke shtuar  “për dajën tim të vrarë me pushkë në dorë”.

Për ushtarët e gjallë, pohoi nënkryetarja e PDK-së “por fatkeqësisht të fyer e të nëpërkëmbur”.

Po ashtu, edhe Partia Social-Demokrate (PSD) ka njoftuar se do të marrë pjesë në protestën kundër Qeverisë së Kosovës e thirrur për të shtunën nga shoqëria civile.

Zyrtari i kësaj partie, Zgjim Hyseni, përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë; “nesër protestojmë, hajde në shesh në ora 18:00!”.

“Kjo Qeveri ka mbledhur rreth vetes përmbajtjet më reaksionare të shoqërisë. Janë truq sikur lëmsh: hipokrizi deri në qiell, servilosje deri në gjunjëzim; korrupsion e racizëm urban”, shkroi ai në “Facebook”.

Ndërkaq, Hyseni potencoi se “ditën kur i përjashtoi veteranët nga paga minimale, nga Ministria e nga Partia u zunë me 60 mijë euro nën tepih”, duke iu referuar arrestimit të dy zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të dyshuar për korrupsion.

“Kaq është brenga e tyre për abuzimin. Janë pa skrupuj, nëse nuk rezistojmë nuk dinë të ndalur”.

“Nesër në shesh!”, përfundoi ai.

Ndryshe, në pjesën e tretë të audio-incizimeve të publikuara ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, duke komunikuar me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiç, kryedeputetja e partisë në pushtë ankohet se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka fryrë listat e vetëranëve.

“Unë kam qenë në tri parlamente… dy, në të vërtetë, dhe në një palë zgjedhje komunale, kur listat e veteranëve kanë qenë disproporcionale…E nëse buxheti që shkon për pagat, pensionet e tyre, tash, të shkonte vetëm për ata që vërtetë kanë luftuar në luftë e tash janë veteran, atëherë ata do të kishin nga 450 apo 500 në muaj”.

Ajo ka folur edhe për deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës – Uran Ismaili, Abelard Tahiri dhe Bekimi Haxhiu. Fillimisht, deputetin Ismalili e ka quajtur “idiot patetik”, kurse më pas Simiçit i tregon se deputeti Tahiri posedon “orë të 30 mijë eurove”.

Teksa protagonistët e audio-incizimeve flasin për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, deputetja Kusari-Lila e pyet në mënyrë retorike Simiçin se “a e di bre kush është Bekim Haxhiu?”, ngase ky i fundit ka qenë ndër kritikuesit më të mëdhenjë të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Ndryshe, në njërën nga seancat më të tensionuara të kësaj legjislature, ku pati edhe përleshje fizike në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe kabinetit qeveritar, me 60 vota pro dhe një kundër është miratuar Ligji për Pagën Minimale, i cili parasheh që paga minimale të jetë 2 qind e 64 euro.

Mirëpo, në këtë ligj kanë mbetur jashtë kategoria e veteranëve të luftës, siç thuhet “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit, luftëtar të UÇK-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore