Lajme

Kujtohet Ukshin Hoti në 22 vjetorin e zhdukjes së tij


Që nga 16 maji i 1999-ës, nuk dihet asgjë për fatin e profesorit Ukshin Hotit.

Filozofi, profesori universitar, aktivisti i madh politik, zëri i ndërgjegjes shqiptare, Ukshin Hoti, u zhduk pas lirimit të tij nga burgu i Dubravës, ku ishte duke vuajtur dënimin me burgim pesë vjeçar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe se çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve është prioritet i shtetit.

“Më 16 maj të vitit 1999, atdhetari e mendimtari Ukshin Hoti u lirua nga Burgu i Dubravës. Që prej asaj dite asgjë për fatin e tij, përpos kujtimit të çdovitshëm dhe rëndimit të ndërgjegjes sonë për mendimtarin politik, i cili prej 22-vjetësh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve, të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje Osmani shkroi se Hoti e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë.

“Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti”.

Kryeministri Albin Kurti, në një postim në profilin e tij në Facebook kujtoi Ukshin Hotin, ku shkroi se “22 vjet më vonë, fati i tij nuk është zbardhur kurse drejtësia për të nuk ka nisur”.

“Të mungosh do të thotë të jesh. Diku tjetër, larg prej njerëzve që të duan. Ukshin Hoti është, edhe në veprën që ka lënë. “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” dhe “Lufta e Ftohtë dhe Detanti” – tre libra, tri ditë lexim, pas të cilave nuk do të mendoni, studioni e veproni njësoj. Është më i madh se jeta”, shkroi kryeministri Kurti.

Ai, po ashtu postoi edhe një fotografi të Ukshin Hotit të cilën shkruan se nuk e kishte parë më përpara, të dërguar nga profesori i historisë, Durim Abdullahu.

Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në një status në Facebook përkujtoi 22 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit.

“Atdhetari që nuk u dha kurrë, as nën trysninë e torturave të kriminelëve serbë nëpër kazamate, vazhdon të mbetet plaga jonë e hapur e lirisë. Derisa vepra e tij edhe sot është frymëzimi ynë i përditshëm – Kosova nuk do të jetë asnjëherë e plotë pa zbardhjen e fatit të tij”, shkroi Enver Hoxhaj.

Po ashtu edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një status në Facebook shkroi se Ukshin Hoti ishte “Zëri moral i shoqërisë shqiptare, intelektual kryengritës, trim e guximtar që nuk u thye kurrë. I tillë ishte Ukshin Hoti”.

“Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi”, shkroi Haradinaj.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, në llogarinë e saj në Twitter shkroi se “Qe 22 vjet, ne ende jemi duke pritur. Ukshin Hoti ka frymëzuar gjeneratat më të mira të intelektualëve, ushtarëve, profesorëve, dhe studentëve”.

Ukshin Hoti u lirua në ditën e diel të 16 Majit, një ditë e pazakontë për lirimin e të burgosurve, dhe që atëherë asnjë gjurmë për fatin e tij nuk është gjetur.

Sipas njërit prej të burgosurve, Bajrush Xhemailit, ai u pa i shoqëruar nga dy roje të burgut drejt daljes dhe që prej atëherë nuk dihet gjë më për të.

“Pas pak minutash, profesori i respektuar Ukshin Hoti, i përcjellur nga dy mbikëqyrës, do të niset drejt dyerve të daljes së burgut. Dhe ne nuk e kemi parë më. Në të vërtetë të burgosurit ordinerë që punonin jashtë do të na tregojnë edhe se profesorin e kanë parë edhe kur ka kaluar jashtë mureve të brendshme të burgut. Asgjë më shumë”, kishte thënë Xhemaili.

“Ne nuk mund ta dinim se me të kaluar muret e burgut profesorit do t’i humbë çdo gjurmë dhe nuk do të dijë kush ndonjë gjë për të, aq sa të kuptohet se është gjallë”, kishte vazhduar ai.

Ukshin Hoti ishte profesor universitar, politolog, shkrimtar, filozof, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë gjatë viteve 80-ta dhe 90-ta.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore