Lajme

“Kthehu në Afrikë”: Deputeti francez ngjall zemërim në parlament


“Ata duhet të kthehen në Afrikë”.

Ishte ky komenti që shkaktoi shumë tensione dhe zemërim në parlamentin francez në seancën e fundit parlamentare.

Gregoire de Fournas, një anëtar i sapozgjedhur i “Tubimit Kombëtar” të ekstremit të djathtë u kritikuar pas komenteve të tij, ku i tha “kthehu në Afrikë” një kolegu me ngjyrë.

Anëtari i parlamentit, Carlos Martens Bilongo, i ekstremit të majtë po merrte në pyetje Qeverinë për një varkë shpëtimi që po transportonte qindra pasagjerë në Detin Mesdhe dhe që nuk ka akoma një port të përcaktuar për t’i zbritur ata.

Bilongo u ndërpre nga Gregoire de Fournas, i cili tha se, “ata duhet të kthehen në Afrikë”.

Presidenti i dhomës së ulët të parlamentit francez, Yaël Braun Pivet, pezulloi më pas seancën legjislative, duke thënë se komenti do të hetohej.

Deklarata shkaktoi kritika dhe zemërim pasi pretendohej se De Fournas mund të ketë sulmuar drejtpërdrejt Bilongon me fjalët e tij, pasi në gjuhën frënge përemrat “ai” dhe “ata” shqiptohen njësoj.

De Fournas, mbrojti komentin e tij dhe akuzoi kundërshtarët për “manipulim”, dhe partia e tij mohoi gjithashtu çdo sulm personal ndaj Bilongo-s.

Ai më vonë i kërkoi falje Bilongos për “keqkuptimin që shkaktuan komentet e mia”.

Megjithatë, kryeministrja, Elisabeth Borne, i kërkoi asamblesë të sanksionojë deputetin e ekstremit të djathtë duke thënë se “racizmi nuk ka vend në demokracinë tonë”.

Bilongo e quajti komentin “të turpshëm”.

“Unë kam lindur në Francë. Unë jam një deputet francez”, tha ai.

Stephane Sejourne, i cili drejton partinë qendrore të Presidentit Emmanuel Macron, tha se De Fournas duhet të japë dorëheqjen ,e njëjta ide u mbështet edhe nga ekstremi i majtë.

Një komision parlamentar do të mblidhet të premten për të diskutuar incidentin me De Fournas i cili pritet të ndëshkohet me një përjashtim të përkohshëm nga asambleja.

“Partia e Rilindjes qendrore e Macron-it do të refuzojë të marrë pjesë në sesione të mëtejshme nëse këshilli nuk lëshon një dënim të rëndë”, tha zëvendës presidenti i saj në parlament, Sylvain Maillard, në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore