Lajme

Kryeziu tregon pse s’pati takim Kurti-Blinken: S’jemi urgjencë e sigurisë – Amerika s’ka hequr dorë nga njohja reciproke


Perparim Kryeziu

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, në një paraqitje televizive në Tëvë1, ka tentuar ta arsyetojë kryeministrin Albin Kurti pas kritikave se ai nuk arriti të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Kurti dhe ekipi i tij po e ka vështirë të realizojë takime të nivelit të lartë. Madje, ai nuk ka arritur as nivelin e takimeve që ka siguruar presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kjo në një kohë kur Serbia vazhdon të mos i vë sanksione Rusisë, siç ka bërë e gjithë bota perëndimore.

Megjithatë, sipas zëdhënësit Kryeziu, meqenëse në Konferencën e Mynihut diskutohet për sigurinë dhe meqenëse Kosova nuk paraqet urgjencë të sigurisë, një takim i tillë nuk ishte realizuar.

“Temë qëndrore ishte siguria, ishte mundësi e mirë që liderë të takohen me njëri-tjetrin, të trajtojnë çështje të sigurisë. Unë mendoj që Kosova nuk paraqet urgjencë të sigurisë. Nëse dikush paraqet urgjencë të sigurisë, është Serbia, mbase edhe për atë janë takuar”, tregoi ai.

Tutje, ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar pozicion sa i përket njohjes reciproke në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Sikurse Kosova që nuk është zmbrapsur nga kërkesa e saj dhe synimi i saj legjitim për njohje reciproke që derivon nga qëndrimi i prerë i ShBA-së për njohjen reciproke, as Shtetet e Bashkuara nuk janë tërheq nga një pozicion i tillë”, ka thënë Kryeziu.

Kur ka komentuar mungesën e  transparencës lidhur me propozimin e BE-së me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ai ka thënë se kryeministri ka sqaruar praktikisht çdo pikë të atij propozimi.

“Unë besoj që e keni parë dhe dëgjuar kryeministrin kur ka folur në Kuvend për propozimin franko-gjerman. Nuk ka mundur të jetë më i drejtpërdrejtë dhe transparent se aq. Për çdo pikë të atij propozimi praktikisht ai ka diskutuar”, tha Kryeziu.

“Në të njëjtin fjalim i ka përshkruar dhe diskutuar praktikisht të gjitha pikat, ka treguar se pse nuk mund ta ketë transparencën që po e kërkoni ju e publiku. Me të njëjtët aletatë ka pasur një marrëveshje që të ketë konfidencialitet të bisedimeve”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti dhe presidenti serb do të takohen më  27 shkurt në Bruksel me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, me idenë e një pajtimi të përbashkët në parim për nënshkrimin e “Marrëveshjes Bazë” të mbështetur në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

Gabimi i para 3 vjetëve që po i kushton Kurtit në Konferencën e Sigurisë në Munih

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore