Kosova

Kryetarët e partive opozitare kritikojnë Kurtin për pjesmarrje në zgjedhjet e Shqipërisë, duke anashkaluar pandeminë në Kosovë


Partitë politike opozitare kanë kritikuar Qeverinë dhe kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në fushatën zgjedhore në Shqipëri, duke anashkaluar tërësisht qytetarët e Kosovës të cilët po përballen me pandeminë dhe mungesën totale të vaksinave.

Po ashtu kritikë të ashpër kanë dhënë edhe për mungesën e transparencës dhe llogaridhënies pra qytetarëve lidhur me mos sigurimin e vaksinave.

Ushtruesi i detyrës se kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj ka thënë se më e udhës do të ishte që Qeveria të thërriste opozitën në një diskutim të tillë e jo opozita ta bënte një gjë të tillë.

“Do të kishte qenë e udhës që Qeveria të na kishte ftuar neve opozitën në një diskutim të tillë, të hapur. Sepse çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, këtë betejë me pandeminë, do të duhej ta shtronte në një rrafsh social e jo politik. Në një rrafsh real e jo dogmatik. Në një rrafsh të bashkëpunimit e jo të izolimit.”

Ai ka thënë se Qeveria dhe ministri i shëndetësisë kanë dështuar si në sigurimin e vaksinave po ashtu edhe sa i përket përgjegjshmërisë.

“Pas një muaji qeverisje, kryeministri dhe ministri i shëndetësisë, jo vetëm që kanë dështuar ti sigurojnë vaksinat, por kanë qenë edhe të papërgjegjshëm e të pa ndërgjegjshëm, përballë pasojave që pandemia po lë tek qytetarët”.

Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin duke thënë se ka qenë tërësisht pasiv karshi përgjegjësive që ka

“Ke qenë shumë aktiv në përsiatjet tua gjatë këtij muaji, por tërësisht pasiv sa i përket përgjegjësive që ke. Nuk jam këtu që të flas për veprimet tua politike, për të cilat do të të gjykojnë qytetarët, por jam këtu për të të thënë se qytetarët që ti i ke braktisur, sot po ndihen të vetmuar, të braktisur, pa adresë e pa mbështetje përballë COVID-it”.

Ai e ka kritikuar edhe sa i përket premtimeve që ka dhënë lidhur me menaxhimin pandemisë, por duke lënë ato në harresë dhe duke vënë të tjera prioritete e jo pandeminë.

“Për një kryeministër të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm, nuk do të duhej të kishte prioritet më të madh sot për sot, sesa për ta nxjerrë Kosovën nga kjo hartë e dështimit përballë pandemisë….Ne nuk ju kemi ftuar në këtë debat për t’iu thënë këto që po ti themi, por që ju të reflektoni.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij ka thënë se më me prioritet janë qytetarët se sa fushata në Shqipëri.

“1 mijë pacient për një Boiken nuk ja vlen, se ai i shkreti as qaq votues nuk ka”.

Abdixhiku  ka thënë se për 34 ditë qeverisje janë vdekur rreth 340 qytetar, andaj këto ditë janë shumë të rëndësishme, duke bërë me dije Qeverinë për një fillim të dobët.

“Për 34 ditë qeverisjeje, rreth 340 qytetarë tanë kanë ndërruar jetë. Ky është bilanci i përballjes me pandeminë. Prandaj ditët kanë rëndësi. Të 34 ditët e para tuaja kanë rëndësi”.

Ndërsa, sa i parket mungesës së kryeministrit në seancë, ku po diskutohet tema më e rëndësishme për vendin, Abdixhiku ka thënë se kjo tregon se sa serioz janë përball pandemisë.

“Kjo pamje tregon që e ka një kryeministër të pa interesuar, po bëhen 1 muaj e katër ditë prej votimit të qeverisë dhe jemi në pandeminë ditët s’kanë rëndësi sepse çdo dy orë një qytetarë vdes për shkak të pandemisë. Unë nuk pres që të bëni mrekulli menjëherë po pres që kryeministri të jetë këtu”.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje Qeverisë që të fokusohet në sigurimin e vaksinave të një sigurie të lartë dhe me një origjinë të qartë. Paralelisht me vaksinat ai ka kërkuar që të bëhen lehtësime financiare  dhe ilaçe falas për pacientët.

“Të fokusoheni të sigurimi i vaksinave, vaksina të sigurta, pra jo me origjinë të dyshimtë dhe pa vonesë. Mos humbi kohë ju lutem. Deri në sigurim të vaksinave bëni kujdes që të siguroni ilaçet falas për pacientët me Covid. Ju e dini koston për çdo pacient. Është e rëndësishme që në kohë të pandemisë, të një krize shëndetësore të bëhet kujdes me ekonomi. Vazhdoni siguroni pako financiare deri sa të jetë pandemia”,

Tutje Haradinaj ka kërkuar që të ndalen gjobat ndaj qytetarëve dhe të lejohen sallat e dasmave të punojnë duke bërë me dije se as në dasma nuk mund të ketë më shumë se sa në një sall si ajo e kuvendit ku janë deputetët në seanca.

“Nuk është praktikë e duhur ndëshkimi financiar. Merrni kredi të buta dhe mos lejoni zbritjen e pagave e pensioneve, ose siç vepruat me zbritjen e shtesave të pensionistëve….Lejoni sallat e mëdha, lejoni sallat e dasmave. Çdo sallë nuk është më e madh se kjo sallë. Hjekne orën policore. Nuk ka arsye për orë policore”, ka deklaruar Haradinaj.

Ismaili: 2.5 milion vaksina kërkojmë nga Qeveria për imunizimin e të gjithë popullatës

Ndërsa në emër të partisë e cila ka ftuar seancën për diskutim për pandeminë dhe vaksinat kundër Covid-19, ka folur ish ministri i Shëndetësisë dhe  tani sekretari i PDK-së, deputeti Uran Ismaili, në fjalimin e mbajtur sot në Kuvend ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të sigurojë  hiq më pak se 2.5 milionë vaksina, në mënyrë që të kemi imunizimin e tërë popullatës.

Ndërrimi i tri Qeverive të fundit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth vaksinimit.

“Ne kemi parë të ndërrohen tri Qeveri, por jo edhe të ndryshojë situata që po e rëndon jetën e qytetarëve gjithnjë e më shumë. Asnjëra prej tyre nuk dha përgjigje për çështjen e vaksinimit, për investimet, për blerjen e barnave me çmime shumë të shtrenjta, ashtu siç në krejt këto sfida as nuk krijuan rrethana lehtësuese për qytetarët”.

Ismaili tutje ka thënë se prioritet i Kurtit dhe Qeverisë së tij ishin zgjedhjet në Shqipëri e jo ballafaqimi me situatën pandemike në vend, madje duke refuzuar vaksinat donacion nga Shqipëria.

“Prioritet për të ishte Boikeni, e jo qytetari i Kosovës….Qytetarët, që edhe sot janë duke u përballur me vështirësi dhe të vetmuar pa ndihmën e Qeverisë.  Xhepi i qytetareve është zbrazur në përballje me pandeminë.  Çdo ditë ata blejnë barna të stër-shtrenjtuara, sepse tri Qeveritë krijuan favore për tregtarët e barnave – të cilat plaçkitën qytetarët në kohë pandemie”, është shprehur ai.

Qendrat e vaksinimit në kryeqytet janë mbyllur ka thënë Ismaili, duke thënë se jemi kryeqyteti i vetëm në Evropë ku nuk ka vaksinonim të popullatës. Andaj, në fund të fjalimit të tij, ka thënë se detyrë e vetme e Qeverisë është blerja e 2.5milion vaksinave dhe për këtë kryeministri dhe ministri iu shëndetësisë duhet t’i dhënë përgjigje edhe për transparencë.

“Qytetarët duhet ta dinë se kur është muaji që Kosova do ta përfundojë vaksinimin, kur është muaji që Kosova mund të hapet, dhe të kthehet normaliteti. Këtë përgjigje e presin sot ata”, është shprehur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore