Lajme

Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut: Shpresojmë që betimi i kryetarit të shkojë pa probleme, përkundër paralajmërimeve për përshkallëzim


Mitrovica e Veriut

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljanin, në një prononcim për gazetën opozitare serbe “Danas”, tha se pret që betimi i kryetarit të sapozgjedhur të kësaj komune, Erden Atiç, të kalojë në mënyrë të qetë, përkundër paralajmërimeve për përshkallëzimin e situatës.

“Edhe sikur të kishte marrë pjesë Lista Serbe apo ndonjë përfaqësues i komunitetit shumicë, ne do të kishim bërë të njëjtën gjë. Para këshilltarëve, kryetari bën betimin dhe merr detyrat e tij në kuadër të komunës së Mitrovicës së Veriut”.

“Ne kemi marrë përsipër ta kryejmë këtë proces dhe shpresojmë se do të shkojë pa probleme sepse dihen paralajmërimet për përshkallëzimin e situatës, ne duam që çdo gjë të shkojë mirë, duke përfshirë edhe betimin e kryetarit”, shtoi Uglanjin.

Zgjedhjet në veri – megjithatë – janë mbajtur pa asnjë incident, por nga mbi 40 mijë qytetarë me të drejtë vote atje, votuan vetëm diçka më shumë se 1 mijë. Erden Atiç si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje fitoi zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Veriut me pak më shumë se 500 vota.

Këto, sipas ligjeve të Kosovës, janë legale, por nuk kanë legjitimitet, sepse në katër komunat e banuara kryesisht me shumicë serbe votuan pos 13 serbë. Ugljanin, kur është pyetur për legjitimitetin dhe legalitetin e kryetarit të ri, tha se ende ka dyshime sa i përket kësaj çështjeje.

“Nuk e dimë nëse është e përkohshme, sepse varet më shumë nga politika. Funksionaliteti i kuvendeve dhe kryetarëve të komunave në veri po diskutohet edhe në kuadër të dialogut të Brukselit. Ne bëjmë vetëm atë që kërkohet nga ligji për pushtetin lokal”, tha Uglanjin.

“Ne jemi këtu për që të marrim vendime dhe të punojmë në shërbim të të gjitha komuniteteve, kështu do të veprojmë deri në momentin kur të arrihet marrëveshja në parim që komuniteti shumicë të marrë përgjegjësitë, sepse kam thënë edhe më parë që kjo shtëpi nuk duhet të mbetet bosh”, shtoi ai.

Uglanjin ndër të tjera theksoi se një problematikë tjetër mjaft komplekse sa i përket këtyre zgjedhjeve është edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse sipas tij, për themelimin e këtij mekanizmi duhen votat e përfaqësuesve serbë në kuvend.

“Është situatë komplekse sepse kuvendet komunale votojnë për formimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Duke qenë se shumica e asambleistëve në kuvend tani janë nga komuniteti shqiptar, ata sigurisht që nuk do të votonin për formimin e tij”, tregoi Uglanjin.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Rrjedhimisht, qeverisja në nivel lokal, përkundër fitores në zgjedhje – Lista Serbe i bojkotoi ato me urdhër të Beogradit – do të jetë mjaft sfiduese për kryetarët e rinjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore