Lajme

Kryepapërgjegjësia e Kryeparlamentarit – Konjufca s’e di, apo manipulon?


Glauk Konjufca

Në kohën kur ka mbetur më pak se një javë deri të takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të arritur një pajtim për implementimin e pikave të Marrëveshjes për rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dhënë një deklaratë krejtësisht çorientuese.

Duke folur në emisionin Context në ATV, Konjufca, numri 2 i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të jetë vetëm një forum ku këto komuna do të mund të koordinohen.

Pa përgjegjësinë e pozitës shtetërore që mban dhe në shpërputhje me fuqinë e tij politike, Konjufca tha se me arritjen e pajtimit për implementimin e udhërrëfyesit “mund të themelohet një forum i komunave serbe”, duke provuar kështu të prezantojë (pa)fuqinë institucionale të Asociacionit si diçka simbolike.

Kjo përveç se jo e vërtetë, përbën një manipulim të qëllimshëm të fakteve nga Konjufca, apo mos njohje totale të tij për çfarë janë rënë dakord Kurti e Vuçiç në Bruksel.

Madje, reduktimi i tillë i këtij mekanizmi, nëse nuk është një deklarim për konsum të brendshëm politik, tregon mos-njohje të thellë edhe të marrëveshjeve paraprake si ajo e vitit 2013, ajo për Parimet e Përgjithshme e vitit 2015 dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sikur Asociacioni të paraqiste thjesht një vullnet për bashkëpunim dhe për të koordinuar veprimet e përbashkëta 10 komuna, cilado nga komunat e Kosovës, pra edhe 10 komunat me shumicë serbe, nuk kanë nevojë për një leje nga qeveria aq më pak një marrëveshje në Bruksel.

Bashkëpunimi ndërkomunal është i rregulluar në mënyrë të detajuar me ligjin për bashkëpunim ndërkomunal, si pjesë e legjislacionit vital rregulluar sipas nenit 81 të Kushtetutës.

Komunat, siç e thotë Kushtetuta dhe Ligjet e Kosovës, tashmë kanë të drejtën e tyre që të themelojnë institucione të përbashkëta publike për kryerjen e veprimtarive të caktuara me interes publik dhe me rëndësi lokale nga fusha e arsimit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, si dhe të fushave të tjera që janë kompetencë vetanake ose e zgjeruar e komunave (neni 9 dhe neni 13).

Sipas legjislacionit kosovar, “institucioni publik është një institucion i administratës shtetërore, një institucion tjetër shtetëror dhe çdo institucion, që ushtron funksion publik në Republikën e Kosovës”.

Komunat po ashtu tashmë kanë të drejtën që të themelojnë një ose më shumë organe të përbashkëta administrative për ushtrimin e kompetencave të caktuara të komunave të përcaktuara me ligj (neni 9 dhe neni 11).

Pra, për të ushtruar kompetencat që tashmë i kanë, komunat e Kosovës kanë të drejtën të themelojnë diçka shumë më tepër se një forum madje.

Nocionet, si “institucion i përbashkët publik” dhe “organet të përbashkëta administrative”, që tashmë janë të garantuara me ligj, ligjërisht janë nocione shumë të fuqishme, përtej fuqisë së nocionit “forum”.

Nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të jetë vetëm një forum, atëherë, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Konjufca do të duhej ta dinte që për një gjë të tillë komunave me shumicë serbe nuk iu duhet fare leja nga qeveria qendrore.

E gjithë ideja e marrëveshjes së vitit 2013, që më pas është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe është shpallur në Gazetën Zyrtare si Lex Specialis, është për diçka që shkon përtej asaj që tashmë ekziston.

Pra, bazuar mbi modelin e bashkëpunimit ndërkomunal, dhjetë komunat me shumicë serbe, duke vepruar bashkërisht, do të mund të realizonin edhe disa të drejta kolektive për komunitetin serb.

Ligji për bashkëpunim ndërkomunal ka hyrë në fuqi në vitin 2011. Nëse ideja e marrëveshjes qenka themelimi i një forumi atëherë, pse dy vite më pas, në vitin 2013, Kosova është dashur që për këtë gjë të dakordohet me Serbinë?

Duke deklaruar që Asociacioni mund të jetë vetëm një forum koordinues, Konjufca gënjejnë veten dhe opinionin, nëse deklarimi i tij vjen nga mosnjohja dhe jo nga manipulimi i qëllimshëm. Përndryshe, duke e bërë këtë, po tallen me kredibilitetin e shtetit të Kosovës.

Logjika e deklarimeve shpërputhëse me rrethanat e ka karakterizuar Lëvizjen Vetëvendosje qysh nga fillimi i udhëheqjes së dialogut.

Mungesa e transparencës gjithashtu ka mundësuar manovrim retorik për të krijuar një ide tjetër për bisedimet në krahasim me çfarë realisht ndodhë në Bruksel.

Kjo ka prodhuar momente paradoksale sikur ai i disa javëve më parë, kur në njërën anë kryeministri Kurti e quante marrëveshjen në Bruksel si një “bazë të mirë” dhe në anën tjetër Vetëvendosje organizonte protestë kundër marrëveshjes në Prishtinë përmes satelitit të vet, partisë studentore Studim Kritikë Veprim (SKV).

Edhe vetë kryeministri Kurti ka lëvizur me deklarata jashtëzakonisht kundërthënëse.

Kur kritikonte marrëveshjen 11 pikëshe në kohën kur akoma përbënte vetëm një plan të njohur si franko-gjerman, kryeministri thoshte se pikat nuk përbëjnë negocim të tij, por janë përmbledhje e dialogut 10 vjeçar nga paraprakët.

Ndërsa, kur deklarohej pozitivisht për planin franko-gjerman, thoshte se pikat përbëjnë imputin e tij dhe ekipit negociator të udhëhequr nga Besnik Bislimi.

Edhe Bislimi, zëvendës-kryeministri i Kosovës, në një fazë të caktuar e quante planin si një dokument që shkon më afër dëshirave të Serbisë, sepse nuk e ka njohjen brenda dhe e ka Asociacionin. Kurse, kur erdhi momenti i pranimit të planit dhe shndërrimit të tij në një marrëveshje tashmë, ai e prezantonte si një 11-pikësh që ia jep njohjen de facto Kosovës.

Paqartësia në krye më pas përcillej edhe në nivele më të ulëta, siç janë deputetët dhe ajo shtresohej edhe më shumë duke ndërtuar kështu një sistem paqartësie.

Lloji i fundit i argumenteve nga përkrahës të pushtetit është se marrëveshja vazhdon të mos jetë e mirë, por ajo është pranuar nga Kurti që të mos prezantojë palë destruktive para ndërkombëtarëve me idenë e sigurt se Aleksandër Vuçiç nuk e pranon.

Kështu, vazhdon argumenti, Kosova edhe do të jetë e pozicionuar mirë në raport me ndërmjetësuesit, por edhe do t’i shpëtojë një marrëveshje të keqe.

E gjithë kjo mënyrë PR-i ka pamundësuar debatin e strukturuar rreth fuqive potenciale të Asociacionit dhe mënyrës më të mirë të implementimit.

Duke refuzuar të shihet si zgjidhje, por duke u prezantuar si organizatë monstrum, ose në rate të tjera, e parëndësishme, fokusi i qeverisë është zhvendosur nga gdhendja e duhur juridike e Asociacionit në imazhin fiktiv të krijuar për të, siç ishte deklarimi i fundit i Konjufcës.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore