Kosova

Kryeministri Kurti fton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës


Qeveria e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar për në orët e mbrëmjes mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, pas situatës së krijuar në veri të vendit.

Ai këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, duke u deklaruar rreth tensioneve të krijuara në veri.

Në konferencë për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ka thënë se vënia e zjarrit në zyrat komunale në Zubin Potok dhe Zveçan është si veprim kriminal që vjen “nga deklarata nxitëse në Beograd”.

“Serbia do ta militarizojë dhe eskalojë situatën”, deklaroi kryeministri në një konferencë të jashtëzakonshme për media, bashkë me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

“Po sjellë edhe fluturake të saj”, deklaroi Kurti, duke shtuar se në terren po përdorë qytetarët e Kosovës, pra serbët e veriut.

“Serbia provon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marr përmasa rajonale”.

Ai ka deklaruar se sa i përket de-eskalimit të situatës, Kosova e ka bërë pjesën e vetë, pasi “ne ftesës për bisedime i jemi përgjigjur pozitivisht”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Të shtunën, më 25 shtator, në Kosovë kanë ndodhur dy sulme në komunat veriore, Zveçan dhe Zubin Potok.

Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Sipas, kryeministrit të Kosovës Albin Kurti djegëja e këtyre qendrave ishte e qëllimshme.

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.

Po ashtu, policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur mjete shpërthyese në Qendrën e regjistrimit në Zveçan, ndërsa ekipi i deminimit i ka asgjësuar në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore