Lajme

Kryeministri i Sri Lanka-s jep dorëheqjen mes krizës ekonomike


Kryeministri i Sri Lanka-s, Mahinda Rajapaksa, ka dhënë dorëheqjen të hënën e 9 majit mes krizës më të keqe ekonomike të vendit ishull që nga pavarësia që ka çuar në protesta të gjera. Lajmin e ka bërë të ditur një zyrtar qeveritar.

Trupat u vendosën në kryeqytetin Colombo të hënën pasi mbështetësit e qeverisë sulmuan protestuesit jashtë zyrës së presidentit.

Autoritetet nga ana tjetër kanë vendosur një shtetrrethim mbarëkombëtar për të shuar trazirat pasi dhjetëra njerëz u shtruan në spital në përleshjet më të mëdha të dëshmuara në javët e protestave antiqeveritare.

E dërguara e SHBA-ve në Sri Lanka, Julie Chung, e dënoi dhunën e së hënës kundër protestuesve antiqeveritar.

Presidenti Gotabaya Rajapaksa kishte shpallur një gjendje të jashtëzakonshme të premten, mes zemërimit në rritje për trajtimin e krizës më të keqe financiare nga qeveria që nga marrja e pavarësisë në vitin 1948.

Mungesa e ushqimit dhe ilaçeve

Banorët e Sri Lanka-s kanë vuajtur muaj të tërë të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe mungesës së madhe të ushqimit, karburantit dhe ilaçeve, duke shkaktuar javë të tëra protestash kryesisht paqësore antiqeveritare.

Por trazirat të hënën u përshkallëzuan pasi kundërshtarët dhe mbështetësit e familjes Rajapaksa u përleshën.

Spitali Kombëtar i Colombo-s tha se 78 persona ishin shtruar për trajtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore