Shqipëria

Kryemadhi: LSI do të kalojë 30 mandate


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ishte e ftuar në emisionin “Ilva Now” në kanalin EuroNews Albania.

Pyetur për objektivat, Kryemadhi tha se synojnë minimumi 30 deputetë.

“Të kaloj 30 mandate dhe do mendoja që pse jo se po të ketë një angazhim të jashtëzakonshme, LSI mund të bëjë edhe gol shumë të madh për të sjellë një mentalitet dhe shans njerëzve”.

Liderja e LSI-së përmendi edhe ambiciet e saj nëse do vinte në pushtet.

Ajo nuk e mohoi të qënurit ministre e Brendshme.

“Ambiciet personale të Monikës mund të jenë komplet të ndryshme nga ato që flasim ne sot por nuk ka asnjë gjë të pamundur, të gjitha janë të mundura”.

Kurse pyetjes nëse ka ambicie për të qenë kryeministre e vendit, ajo u përgjigj se pas zgjedhjeve kjo detyrë “do të ishte një bela”.

Kjo, duke iu referuar problemeve ekonomike që po e lë vendin, Partia Socialiste.

Kur foli për presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarja e LSI, tha se nuk e sheh atë si “aleat” në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Mua personalisht si Monikë më prish punë, jam e bindur që edhe në momente të caktuara edhe kandidatëve të LSI mund t’i krijojë një problem”.

Kryemadhi shtoi se është Partia Socialiste ajo po përpiqet që ta paraqesë Metën si strukturë të LSI, por s’është aspak e vërtetë.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, mohoi të jetë penduar për djegien e mandateve në vitin 2019 dhe për bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Ajo tha se nuk e kishte dëgjuar fjalën e Luan Ramës në Vlorë, i cili kishte kërkuar ndjesë për lënien e mandateve. Por, Kryemadhi tha se ky vendim “u dha qytetarëve mundësinë për të kuptuar se opozita nuk ishte fasadë e Ramës”.

“Djegia e mandateve ishte një nga vendimet më të mira për të krijuar një qetësi te njerëzit për të parë që opozita nuk ishte palë dhe fasadë e Edi Ramës dhe Rilindjes”.

Për sa i përket vendimit për të dalë në lista të ndara të kandidatëve për deputetë të opozitës, Kryemadhi tha se ndryshimet e kodit e bënë të vështirë daljen në një listë.
Por, shtoi ajo, në qarkun e Kukësit LSI do t’u bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për PD-në.

“Kodi Zgjedhor nuk të lejon që të dalësh në një listë të vetme në një qark. Në u kemi bërë thirrje mbështetësve tanë në Kukës që të votojnë për kandidatët e PD edhe pse ne kemi kandidatët tanë”.

Ajo foli edhe për kandidimin e saj në tre qarqe, Tiranë, Fier dhe Elbasan si përgjegjësi që vjen për shkak të postit si kryetare e LSI-së.

Kryemadhi tha se kjo mundësi iu dha nga Edi Rama me ndryshimet e parregullta të Kodit Zgjedhor.

Arsyeja pse kryetarja e LSI-së kishte zgjedhur të ishte në krye të tre qarqeve më të mëdha ishte sepse donte t’i jepte “frymë, shans dhe mundësi” të rinjve dhe sidomos grave të këtyre zonave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore