Lajme

Kryeinspektori Topalli: Nëse ministrja Hahxiu nuk më kthen në punë do të gjobitet


Ylber Topalli, ish-kryeinspektor në Ministrinë e Drejtësisë

“Unë po ndihem shumë mirë, në fakt mirë kam qenë gjithmonë, nga fillimi, sepse e kam ditur veten se kush jam e çfarë kam bërë, por e kam pritur edhe vendimin, zyrtarisht dhe tani jam shumë më mirë, i relaksuar”, kështu ka deklaruar Kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë, Ylber Topalli, për Albanian Post, pas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili që aqi të rikthehet në punë.

Më 13 mars, Ministrja e Drejtësisë kishte njoftuar se e kishte shkarkuar kryeinspektorin, Ylber Topallin për tejkalim të kompetencave në rastin e Astrit Deharit.

“Pas një sërë gjetjesh faktike që dëshmojnë shkelje të rënda procedurale në rastin e ndërlidhur me zhvillimet pas vrasjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, Komisioni Disiplinor ka ardhur në verdiktin final për shkarkimin e tij, duke marrë parasysh një sërë shkeljesh ligjore, disa prej të cilave tashmë dihet”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Sipas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), Topalli duhet të kthehet në punë brenda 15 ditësh.

“Dhe të kompensohen të gjitha rrogat që më janë ndaluar deri tani. Këta kanë konstatuar se ka qenë vendim arbitrar dhe se është gjykuar jo në formë të drejtë nga komisioni dhe unë këtij afati 15 ditësh të kthehem në vendin e punës dhe pres tani”, ka thënë më tej Topalli për Albanian post.

Përveç kësaj, ministria është e obliguar që të njoftojë Këshillin e Pavarur të Shërbyeseve Civil për ekzekutimin e vendimit, por nëse ky vendim nuk ekzekutohet, do të ketë pasoja për ministrinë.

“Nëse nuk e zbatojnë, atëherë ka pasoja juridike për Ministrinë e Drejtësisë sepse një vendim i natyrës së tillë nuk është duke u zbatuar edhe nga Ministria e Financave dhe kjo është në mënyrë permanente duke u ndëshkuar me pagë si ministër, për mos ekzekutim të vendimit si ministër”, ka shtuar Topalli.

“Por besoj që ministria e Drejtësisë si kupolë e gjykimit dhe vlerësimit për drejtësi, nuk guxon të bëj diçka kundër këtij vendimi karshi pozitës time”, ka përfunduar Topalli.

Dy zyrtarët e larguar për shkak të rastit “Dehari”, kthehen sërish në punë

Sipas MD-së, Ylber Topalli dyshohet se i ka marrë kamerat e sigurisë nga burgu i Prizrenit para Policisë dhe i ka sjellë në Ministrinë Drejtësisë, duke tejkaluar edhe kompetencat që bart detyra e tij, veprime të cilat kanë kontribuar negativisht drejt hetimit të drejtë të vrasjes së Astrit Deharit, gjë të cilën e kundërshton ish-kryeinspektori, në prononcimin e dhënë për Albanian Post.

“Përderisa edhe ata nuk e kanë konstatuar se kur janë marrë kamerat, sepse i kanë tri data, 5, 6 e 7. As ata nuk e dinë. Gabimi i tyre është se ata nuk e dinë as kur i ka marrë policia. E unë jam i bindur se policia i ka marrë para nesh. Sepse kur ndodhin këto raste policia me urdhër të prokurorit hetues e analizon vendin e ngjarjes, krimit çka ka ndodhë dhe ne në të njëjtën kohë nuk mund të shkojmë aty, sepse ka një përzierje të kompetencave aty pastaj”.

“Por, policia shkon njëherë, pastaj ne, janë procedura këto. Ne shkojmë të shohim procedurat e realizuara aty, se çka është shkelë e çka është bërë aty. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe në rastin e Astrit Deharit”, arsyetohet Topalli.

Akuza e dytë të cilën e ka cekur Ministria e Drejtësisë, në shkarkimin e Topallit ka të bëj me disa raporte të tij, në kohën kur po inspektohej rasti Dehari në Shërbimin Korrektues në Prizren.

“Po ashtu, i njëjti ka hartuar dy raporte kontradiktore lidhur me rastin. Në njërin raport, disa ditë pas vrasjes së Astrit Dehari, kryeinspektori Topalli e ka quajtur rastin e Astritit vetëvrasje. Disa ditë më vonë, të njëjtin raport ai e mohon që është i tij edhe pse e ka vendosur nënshkrimin e tij në këtë raport”, thuhet në njoftimin e MD-së.

“Kjo është një gënjeshtër shumë e madhe”, thotë Topalli, për konstatimin e Komisionit hetues ndaj tij, se ai kishte nënshkruar dy raporte kundërthënëse.

“Që në fakt është një raport. Ekziston vetëm një raport, ai i datës 21 i vitit 2016-të. Është raport i protokolluar”, shpjegon më tutje ai.

“Ndërsa raportet tjera që i kanë gjetur ata, asi raporte ka shumë, sepse inspektimi ka zgjatë disa ditë, 15 ditë ka zgjatë inspektimi, e unë për çdo ditë e kam raportuar të kabineti, Ministri i kohës se kështu ka ndodhë, ngjarja ka qenë kjo, kështu, kështu, na duhet edhe kjo punë me u kry, na duhet edhe këtë fakt me vërtetu”.

“Dhe një nga ato raportet është ai, që këta thirren se kinse janë dy raporte. Është kinse unë kam thënë aty vetëvrasje, e kam konstatuar, e më thonë pse ke konstatuar”, vazhdon më tej Topalli.

“Por, nisur nga ky parim, ministrja Haxhiu, çdo prononcim që e ka pas, e ka pas “vrasje”, “vrasje institucionale”, ajo ka bë shkelje tepër më të mëdha se unë, edhe vazhdon me bë prapë. Po e rëndësishme është që raporti zyrtar i protokolluar i datës 21, që e ka në kabinet, që e ka Ministrja, është raport në të cilin unë i jam drejtuar si “rast vdekje”. Vdekja e Astrit Deharit, edhe në çfarëdo varianti, edhe nëse i kam thënë vetëvrasje ose vrasje, nuk është diçka që e cenon esencën e raportit, sepse ajo nuk ka qenë e konstatuar aty, në raport”.

Ish-kryeinspektori i shkarkuar nga detyra është i bindur në të drejtën e tij dhe thotë se do të vazhdojë me procedura të tjera, për të dëshmuar pafajësinë.

“Tash, është procedura e ankesave. Brenda 30 dite kam të drejtë ankese në Këshill të Pavarur Mbikëqyrës. Besoj që Këshilli do t’a shqyrtoj drejtë dhe do të vendos në mënyrë meritore”, përfundon ai.

Pas shkarkimit të Ylber Topallit nga detyra e kryeinspektorit në Ministri të Drejtësisë, në vend të tij është emëruar si ushtrues detyre, Muhamer Bigliqi.

Aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore