Lajme

Kroaci/ Bashkia e Zagreb-it i kalon të majtëve të gjelbër


Të dielën e 31 majit, Zagreb-i hapi një kapitull të ri me zgjedhjen e Tomislav Tomasevic si kryetar bashkie. Tomasevic, një studiues politik dhe aktivist mjedisor, 40-vjeçar, zuri fronin e kryetarit të përjetshëm, Milan Bandic, që e mbante prej vitit 2000.

Bandic vdiq nga një infarkt në shkurt të 2021. Bandic ishte bërë për shumë njerëz, simbol i të gjitha të këqijave të politikës kroate.

Një sundimtar prej kohësh, sa nga e majta në të djathtë, i përfshirë në skandale të panumërta korrupsioni dhe madje i arrestuar në 2014, para se të lirohej me kusht.

Ndaj dhe Tomasevic sot del qartë me premtime për transparencë, përfshirje të qytetarëve në zgjedhjet e qytetit dhe vëmendje të madhe për mjedisin.

Koalicioni kuq e gjelbër që e mbështet atë, dhe Možemo! (Ne mundemi!), do të jenë në gjendje të llogarisin një shumicë pothuajse absolute të ulëseve në këshillin e qytetit.

Një këshilltar i vetëm, ndoshta në krahun e SDP-së, do të jetë i mjaftueshëm për t’i garantuar kryetarit të bashkisë dhe ekipit të tij numrat e nevojshëm për të zbatuar transformimin e Zagrebit.

Fitorja e qartë

Të dielën në mbrëmje, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, Tomislav Tomasevic mblodhi mbi 65% të votave, kundrejt 35% të Miroslav Skoro-s, kandidatit të ekstremit të djathtë.

Skoro u përpoq të bashkonte të gjithë konservatorët rreth tij për të “bërë bllok kundër të majtës”.

Fitorja ishte e qartë, siç parashikuan sondazhet dhe siç ishte menduar tashmë në raundin e parë, kur Možemo! kishte tejkaluar 45% të votave (kundër 12% të Skoro-s).

Në fjalën e tij si kryetar i sapo zgjedhur, Tomasevic njoftoi ndryshime të mëdha, me një kornizë kohore që shkon përtej katër viteve të mandatit të tij.

“Unë besoj se të gjithë qytetarët e këtij qyteti, pavarësisht se si kanë votuar dhe nëse kanë shkuar apo jo në qendrat e votimit, duan kushte më të mira jetese në lagjet e tyre, çerdhe më të arritshme, kujdes shëndetësor më të mirë, më shumë shtëpi për të moshuarit dhe të sëmurët, transport publik më të mirë, korsi më të mira për biçikleta, më shumë hapësira të gjelbërta dhe ata duan që ky qytet t’u japë një perspektivë të rinjve. Ky është misioni ynë”, tha kryetari i ri i bashkisë.

Në fjalimin e tij fitues, Tomasevic më pas kujtoi se fushata e tij elektorale “filloi që në vitin 1998”, kur kryetari i bashkisë së ardhshme kishte filluar aktivitetin e tij politik në moshën 16 vjeçare.

Kjo është një temë që edhe shtypi kroat e përmend sot si dhe në ditët para votimit.

Evolucioni i Tomaseviç-it nga një aktivist në një politikan të shquar; tani ndodhet në një nga pozicionet më të rëndësishme në vend. Portali Index kujton, për shembull, se si “11 vite më parë, Tomasevic u arrestua nga policia gjatë një demonstrate, ndërsa tani ai është kryetar i bashkisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore