Lajme

Kriza në Ukrainë, Biden në Këshillin e Sigurimit: Refuzojmë përdorimin e forcës, thirrje për de-përshkallëzimin ushtarak


“Takimi i sotëm i Këshillit të Sigurimit është një hap kritik për të mbledhur botën për të folur me një zë: refuzimin e përdorimit të forcës, thirrjen për de-përshkallëzimin ushtarak, mbështetjen e diplomacisë si rrugën më të mirë përpara dhe kërkimin e përgjegjësisë nga çdo shtet anëtar të përmbahet nga agresioni ushtarak kundër fqinjëve”.

Kështu është shprehur presidenti amerikan Joe Biden në mbledhjen urgjente të thirrur nga ai të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për krizën në Ukrainë, të hënën e 31 janarit.

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara prezantuan në detaje natyrën e plotë të kërcënimit të Rusisë ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Biden në fjalën e tij i bëri të qartë komunitetit ndërkombëtar implikimet e plota të këtij kërcënimi – jo vetëm për Ukrainën, por për parimet thelbësore të Kartës së OKB-së dhe rendit ndërkombëtar modern.

“Nëse Rusia është e sinqertë për adresimin e shqetësimeve tona përkatëse të sigurisë përmes dialogut, Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë do të vazhdojnë të angazhohen në mirëbesim. Nëse Rusia zgjedh të largohet nga diplomacia dhe të sulmojë Ukrainën, Rusia do të mbajë përgjegjësinë dhe do të përballet me pasoja të shpejta dhe të rënda”, theksoi Biden.

Në përfundim ai bëri të qartë se SHBA-të, aleatët dhe partnerët tanë vazhdojnë të përgatiten për çdo skenar.

“Bota duhet të jetë e qartë në lidhje me veprimet që Rusia kërcënon dhe të jetë e gatshme për t’iu përgjigjur rreziqeve që ato veprime paraqesin për të gjithë ne”, e përmbylli Biden fjalën e tij.

Mbledhja e thirrur nga SHBA-të nga Vassily Nebenzia, ambasadori i Rusisë në OKB, u konsiderua si një “diplomaci megafonike”.

Nebenzia kërkoi një votim mbi rendin e ditës në një përpjekje për të anuluar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pas votimit, rezultati ishte i pritshëm, 10 vota pro, dy vota kundër (Rusia dhe Kina) dhe tre vota abstenim (Indi, Gabon, Kenia).

Rusia e nisi mbledhjen duke thënë se SHBA-të po ndërhyjnë në aftësinë e saj për të vendosur trupa brenda territorit të saj.

Para fillimit të takimit, Kina tha se preferon “diplomaci të qetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore