Shqipëria

Luftanijet ruse praktikojnë gjuajtje artilerie në jug të Ukrainës


Anijet luftarake ruse kanë bërë prova të gjuajtjes në objektiva ajrore dhe detare gjatë stërvitjeve në Detin e Zi në jug të Ukrainës.

Këtë e bëri me dije Ministria ruse e Mbrojtjes të premten e 28 janarit.

Stërvitjet që përfshijnë 20 anije të marinës filluan të mërkurën.

Ato janë pjesë e aktiviteti në rritje ushtarak në rajon.

Stërvitjet në Detin e Zi pritet të përfundojnë brenda kësaj dite, sipas njoftimit të autoriteteve ruse.

Forcat e artilerisë ruse në rajonin jugor të Rostov-it që kufizohet me Ukrainën kanë praktikuar gjithashtu shkatërrimin e forcave armike dhe automjeteve të blinduara me obusa, tha Ministria e Mbrojtjes.

Mes operacioneve të zhvilluara në stërvitje ishte dhe fshirja e minave.

Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka pohuar ndërkaq se Rusia nuk dëshiron luftë.

Kjo deklaratë erdhi pasi Washington-i paralajmëroi se Moska mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm.

Sergej Lavrov u tha mediave ruse të premten se Kremlini nuk po kërkon konflikt me Kievin.

Kryediplomati rus ritheksoi se Moska zyrtare nuk do të lejojë sakaq që interesat e saj të sigurisë të injorohen.

Shtetet e Bashkuara dhe NATO iu përgjigjën kërkesave gjithëpërfshirëse të sigurisë të Rusisë që u ngritën në dhjetor.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov

Rusia tha se përgjigjet lanë pak vend për optimizëm sepse “nuk kishte përgjigje pozitive për pyetjen kryesore”.

Gjatë ditës, Lavrov do të bisedojë me homologen e tij gjermane Annalena Baerbock.

Këtë lajm e raportoi agjencia ruse e lajmeve “Interfax”.

Rusia është e prirur që autoritetet rregullatore gjermane t’i japin dritën jeshile tubacionit të gazit Nord Stream 2, pavarësisht krizës në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore