Lajme

Trupat amerikane janë gati, një sinjal dhe nisen drejt Ukrainës


Ata janë rreth 8 mijë e 500 dhe janë në gatishmëri të plotë për t’u nisur menjëherë drejt Ukrainës, nëse nevoja lind.

SHBA-të dhe aleatët e NATO-s, kanë vënë në gjendje të gatshme këtë numër ushtarësh si ndihmë për Ukrainën, e cila përballet në kufi me 100 mijë ushtarë rusë, në rajonin e Donbas-it.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka parashikuar po ashtu të mbajë një telefonatë me aleatët evropianë dhe fuqitë perëndimore mbi çështjen e Ukrainës. E gjithë kjo, pas lëvizjes së paparashikuar amerikane, për të tërhequr stafin jothelbësor diplomatik nga Kievi, si pasojë e rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit.

Nga ana e Pentagonit, është thënë gjithsesi se një sinjal i qartë për nisjen e trupave, ende nuk ka ardhur. Ndaj, ata janë në pritje.

“Do të ndodhë vetëm nëse vendimi merret nga aleanca e NATO-s, për një reagim të shpejtë. Ose, nëse situata, sheh një përshkallëzim të paparashikuar”.

Kështu tha John Kirby, zëdhënësi për shtyp i Pentagonit, duke shtuar se kjo lëvizje, tregon qartësisht përkushtimin amerikan ndaj situatës.

John Kirby

Nga ana tjetër, disa aleatë si Danimarka, Spanja, Bullgaria dhe Holanda, kanë nisur të dërgojnë avionë luftarakë drejt Ukrainës. E gjithë kjo, po ndodh si një lloj mobilizimi për t’u mbrojtur nga kërcënimi rus.

Gjatë fundjavës sakaq, rreth 90 tonë ndihma ushtarake kanë shkuar nga SHBA-të drejt Ukrainës. Në to, janë përfshirë edhe armatime të vijës së parë.

Po ashtu, midis krerëve më të rëndësishëm evropianë dhe Biden-it, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, është rakorduar qasja mbi problemin ukrainas.

Në një videokonferencë të radhës, do të jenë pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe ai i Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Tensionet në Ukrainë ndërkohë vijojnë të mbeten të larta.

Vladimir Putin, sërish, ka gjetur një aleat në figurën e Alexander Lukashenkos, i cili është i gatshëm të dërgojë trupa në kufirin me Ukrainën.

Por, një përgjigje e parë ofensive, ka ardhur edhe nga numri një i Kievit, Volodymyr Zelensky, i cili ka lënë të nënkuptohet se ofensiva, mund të jetë mbrojtja e re e Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore